Personat që nuk krijojnë antitrupa kundër Covid-19 pas dozës së dytë të vaksinës, mund të rivaksinohen me një tjetër vaksinë. Në një intervistë për Tv Klan, mjeku imunolog Genc Sulçebe thotë se ashtu si në rastin e kalimit natyral të infeksionit edhe me vaksinimin mund të mos krijosh antitrupa për tu mbrojtur nga virusi.
“Nëse kemi një test pozitiv antitrupash atëherë kemi një garanci se kemi një mbrojtje të mirë. Kemi antitrupa jemi të mbrojtur, mungesa e antitrupave që mund të ndodhë edhe me infeksion natyral edhe me vaksinë është sinjal që mund të bëjmë një vaksinë tjetër si rezervë”.
Por pas sa kohësh mund të rivaksinohet një person që nuk ka krijuar antitrupa nga vaksina e parë? “Ky mund ta bëje pa asnjë problem të paktën një muaj pas dozës së dytë, dhe pas tre javësh nuk ka antitrupa atëherë kjo është shenjë që organizmi nuk ka vepruar si duhet nga kjo vaksinë, atëherë mund të bëjë një vaksinë tjetër që të japi një mbrojtje të mjaftueshme”.
Anëtari i Komitetit të Imunizimit thotë se në stinën e dimrit Shqipëria duhet të kujdeset edhe për vaksinimin kundër Covid-19 të fëmijëve të grupmoshës 12 deri 15 vjeç pasi janë përçues të infeksionit. “Një rëndësi të veçantë do i jepja edhe imunizimit të fëmijëve. Vaksinat me ARN tani po aprovohen edhe për fëmijët e moshës 12-15 vjeç. Është mirë që të mendohet edhe për vaksinimin e fëmijëve në të ardhmen”.
Prej janarit Shqipëria ka nisur procesin e vaksinimit me bluzat e bardha për tu shtrirë më pas në muajin Prill masivisht në popullsi. Aktualisht fasha e të vaksinuarve ka zbritur nën 60 vjeç.