“Çelik i gjelbër” në Elbasan / “Kurum International Albania”, 150 mln Euro investim për impiant të ri

Kurum International Albania dhe Danieli Officine Meccaniche kanë firmosur kontratën për ndërtimin e impiantit të parë MIDA Steel në Europë, një investim prej 150 milionë eurosh në Zonën Industriale të Metalurgjikut në Elbasan.

Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në Tiranë, në prani të përfaqësuesve të institucioneve qendrore e vendore dhe partnerëve strategjikë. Projekti konsiderohet strategjik për industrinë shqiptare dhe përputhet me politikat europiane për zhvillim të qëndrueshëm dhe dekarbonizim.

Fabrika e re do të ndërtohet mbi teknologjinë MIDA Steel Concept, e cila për herë të parë implementohet në Europë dhe garanton prodhim çeliku me emetime zero karboni dhe eficiencë të lartë energjetike.

Arif Shkalla, Kurum International:

“Kemi firmosur një kontratë strategjike për ndërtimin e një fabrike totalisht të re në Elbasan, me vlerë 150 milionë euro. Për herë të parë në Europë aplikohet teknologjia MIDA, e bazuar në çelik të gjelbër dhe me emetim zero të karbonit.”

Me realizimin e këtij projekti, Shqipëria pozicionohet drejtpërdrejt në tregun europian të çelikut të gjelbër, duke rritur konkurrueshmërinë industriale dhe potencialin eksportues.

Federico Rocchetti, Danieli Group:

“Ky impiant implementohet për herë të parë në Europë. Teknologjia ul ndjeshëm konsumin e energjisë dhe emetimet e karbonit, duke garantuar standardet për certifikimin si çelik i gjelbër dhe zhvillim të qëndrueshëm për rajonin.”

Projekti vlerësohet edhe nga autoritetet vendore si një hap i rëndësishëm për transformimin industrial të Elbasanit.

Gledian Llatja, Kryetar Bashkie Elbasan:

“Sot flasim për industri të gjelbër. Kjo fabrikë tregon se Elbasani mund të jetë njëkohësisht qytet industrial dhe turistik, me zhvillim të qëndrueshëm.”

Investimi parashikon kapacitet prodhimi vjetor afër një milion ton, hapje të vendeve të reja të punës dhe rikthim të eksporteve të çelikut shqiptar në tregjet europiane.