Është çelur sezoni kurativ në llixhat termale në Elbasan.
Pranvera dhe vjeshta janë dy sezonet kur llixhat e Treganit në Elbasan mirëpresin pacientë nga qytete të ndryshme të vendit por edhe nga rajoni, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Vizitorët kryesisht janë mosha e tretë, të cilët thonë se llixhat i frekuentojnë për të kuruar problemet shëndetësore. Janë të kënaqur me mikpritjen dhe çmimet e favorshme.
“Ka tre vjet që e frekuentoj, vijmë familjarisht me vëllezër dhe motra. Edhe përmirësimi duket se shëndeti nuk ndryshon me orë dhe minuta, por ne shohim, se unë jam i moshuar 75 vjeç, po shohim një qëndrim konstant. Ne paguajmë 1700 lekë në ditë për person, të reja kuptohet, por jam shumë kënaqur, shprehet qytetari”.
Biznesi i hapur rishtaz ofron një paketë të plotë shërbimesh, duke filluar nga 40 euro për dhomë, ku përfshihen ushqimi, fjetja dhe trajtimet me baltë. Pavarësisht çmimeve të lira, pronarët e bizneseve thonë se këtë sezon ka rënë numri i vizitorëve.
“Liberalizimi i vizave për shtetasit kosovarë dhe ekonomia e dobët janë dy nga faktorët që po i çojnë drejt falimentimit”, thotë Nosti Mema, administrator.
Llixhat e Elbasanit janë një destinacion unik për turistët që kërkojnë shërbime kurative dhe relaksim në një mjedis natyror dhe pishinë të hapur termale.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.