Në ambientet e Pallatit të Sportit “Tomorr Sinani” në Elbasan u çel Panairi “Work & Study”, një aktivitet që tashmë është kthyer në një traditë të rëndësishme për orientimin akademik dhe profesional të të rinjve.
Qëllimi i këtij panairi është inkurajimi i të rinjve dhe njohja nga afër me alternativat e ndryshme që ofrohen për studim dhe punësim në të ardhmen. Në këtë aktivitet marrin pjesë rreth 30 universitete, institucione arsimore dhe kompani të ndryshme, të cilat prezantojnë programet e tyre të studimit dhe mundësitë e punësimit për maturantët dhe të rinjtë.
I pranishëm në këtë panair ishte edhe Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, z. Gledian Llatja, i cili e konsideroi këtë aktivitet një mundësi të mirë komunikimi dhe orientimi për të rinjtë.
“Janë rreth 30 universitete të pranishme këtu me profile të ndryshme studimi, duke filluar nga programet ushtarake, degët e inxhinierisë, sigurisë, ekonomisë dhe shumë fusha të tjera, duke u dhënë mundësinë të rinjve të njihen nga afër me alternativat që ofrohen për të ardhmen e tyre”, u shpreh kryebashkiaku Llatja.
Në panair ishte e pranishme edhe deputetja Evis Kushi, e cila vlerësoi rëndësinë e këtij projekti, duke theksuar se “Work & Study” është një nga iniciativat që ka ndjekur që në fillimet e saj dhe që tashmë ka dhënë rezultate konkrete për të rinjtë.
Ndërkohë, Drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit Vesa Llanaj Liço shprehu bindjen se interesi i madh i maturantëve për këtë panair do t’i ndihmojë ata të bëjnë zgjedhje më të informuara për studimet dhe karrierën e tyre.
Panairi “Work & Study” në Elbasan mbetet një mundësi e rëndësishme për maturantët dhe të rinjtë për t’u njohur me programet e studimit, këshillimin e karrierës dhe alternativat aktuale të tregut të punës.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.