Në kuadër të Tetorit Rozë, muajit ndërkombëtar të sensibilizimit për kancerin e gjirit, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Elbasan organizoi një aktivitet të veçantë në qendër të qytetit, duke synuar rritjen e ndërgjegjësimit tek gratë dhe vajzat për rëndësinë e diagnostikimit të hershëm.
Nën moton “Çdo ditë vlen”, punonjëset e sektorit shëndetësor shpërndanë mesazhe dhe materiale informuese për kujdesin personal, vetëkontrollin dhe kontrollet periodike mjekësore, duke theksuar se diagnostikimi i hershëm mbetet arma më e fuqishme për të luftuar kancerin e gjirit.
Aktiviteti u prit me interes nga qytetarët, ndërsa stafi shëndetësor inkurajoi gratë të mos neglizhojnë shenjat paralajmëruese dhe të kërkojnë këshilla profesionale sa më shpejt të jetë e mundur. Ky aktivitet është pjesë e një fushate më të gjerë sensibilizuese që synon të ulë incidencën e vdekjeve dhe të rrisë nivelin e mbijetesës për pacientet me kancer gjiri.
Përmes këtij mesazhi, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor nënvizon se “çdo ditë e jetës ka vlerë”, duke inkurajuar komunitetin të bëjë hapa konkretë për shëndetin e grave dhe të familjeve të tyre.