Çapja: Europa është e arritshme për verdheblutë, e di shumë mirë rivalitetin mes Elbasanit dhe Dinamos

Hetlen Çapja është një nga emrat që nuk harrohet lehtë nga futbolli elbasanas. Ai ka qenë pjesë e gjeneratës së artë të qytetit të tij, por njëkohësisht ka shkëlqyer edhe me fanellën e Dinamos, duke dalë kampion me të dyja skuadrat.

Për këtë arsye, përballja e fundjavës mes Elbasanit dhe Dinamos merr për të një kuptim të veçantë, pasi jo vetëm që ka jetuar rivalitetin në fushë, por e njeh mirë edhe peshën e historisë që mbart ky duel klasik i futbollit shqiptar. Sipas Çapjes, Dinamo ka qenë gjithmonë një “mace e zezë” për Elbasanin, edhe në periudhat kur verdheblutë arrinin majën e kampionatit. Për të, ky është një fakt që nuk mund të mohohet, por që tashmë është koha të marrë fund.

Ish-mesfushori e sheh këtë Elbasan ndryshe nga vitet e shkuara, më të organizuar, më të guximshëm dhe me një frymë të re që i jep shpresë se historia e së kaluarës nuk do të përsëritet më. Ai vlerëson shumë mënyrën si skuadra e trajneri ka hyrë në kampionat, veçanërisht në barazimin ndaj Egnatias, ku sipas tij vetëm fati dhe episodi i penalltisë i mohoi fitoren. Çapja beson fort se Elbasani ka potencialin për të qenë pjesë e Europës sezonin e ardhshëm, pasi afrimet janë bërë me kujdes dhe boshti i ekipit është ruajtur.

Hetlen, ju keni luajtur dhe fituar kampionatin me të dyja skuadrat. Si e shihni këtë përballje mes Elbasanit dhe Dinamos?

Po, është një ndeshje që gjithmonë ka pasur emocionet e veta. Unë kam veshur fanellën e të dyja ekipeve dhe e di shumë mirë rivalitetin mes tyre. Historikisht, për Elbasanin, Dinamo ka qenë një “mace e zezë”. Edhe kur dilnim kampion, me Dinamon gjithmonë e kishim të vështirë. Por unë besoj se këtë herë kjo gjë do marrë fund. Ky Elbasan është ndryshe, më i pjekur dhe me një frymë që nuk e kemi parë prej kohësh.

E keni ndjekur Elbasanin në dy javët e para të kampionatit. Çfarë ju ka bërë përshtypje?

Sigurisht që i kam ndjekur. Më ka pëlqyer shumë mënyra si ka hyrë ekipi në fushë, sidomos ndaj Egnatias. Rezultati doli vetëm barazim, por kush e pa ndeshjen e kuptoi se Elbasani meritonte më shumë. Loja ishte e organizuar, me ritëm, me guxim dhe me dëshirë për të fituar. Më ka bërë përshtypje që nuk janë trembur përballë një rivali të fortë si Egnatia dhe kampion në fuqi. Kjo tregon se grupi ka besim te vetja.

Ju përmendët shpesh besimin. Mendoni se ky ekip ka mundësi reale të luftojë për Europën?

Po, dhe nuk e them kot. Ky është objektivi që Elbasani duhet të ketë këtë sezon. Në dy javët e para kanë treguar se kanë cilësi, kanë ide dhe mbi të gjitha kanë unitet. Sigurisht, rruga është e gjatë dhe kampionati ka shumë surpriza, por kur shikon se si është ndërtuar skuadra, me afrime të zgjuara dhe duke ruajtur boshtin e vitit të kaluar, të jep shpresë. Unë e besoj fort se Europa është e arritshme.

Cilat janë, sipas jush, pikat më të forta të këtij Elbasani?

Më pëlqen fakti që skuadra është ndërtuar me mend. Nuk është bërë revolucion, por janë shtuar lojtarë aty ku duhej. Boshti është ruajtur dhe kjo është gjëja më e rëndësishme, sepse mban stabilitet dhe i jep skuadrës identitet. Një tjetër pikë e fortë është fryma kolektive, nuk varet nga një apo dy individë, por nga loja në grup. Kjo e bën më të qëndrueshme në ndeshje të vështira.

Si përfundim, si e shihni ndeshjen me Dinamon?

Unë mendoj se Elbasani ka çdo mundësi ta thyejë më në fund këtë tabu. Dinamo është gjithmonë skuadër e respektuar, por kjo është një mundësi e artë për të treguar se ky Elbasan nuk ka frikë nga askush. Nëse luajnë me të njëjtin intensitet si me Egnatian, atëherë besoj fort se fitorja do të vijë. Dhe do ishte një fitore me shumë kuptim, sepse do të tregonte se Elbasani është kthyer për të qëndruar në elitë dhe për të synuar lart.

Mesazhi juaj për tifozët?

Tifozët e Elbasanit janë gjithmonë të veçantë. I kanë qëndruar pranë skuadrës edhe në vitet e vështira. Sot, më shumë se kurrë, lojtarët kanë nevojë për mbështetjen e tyre. Ky ekip ka potencial të bëjë diçka të madhe dhe jam i bindur se bashkë, futbollistë dhe tifozë, mund ta rikthejnë Elbasanin aty ku e meriton, në Europë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL