Një nga të shëruarit është edhe Petrit Bylykbashi nga Prishtina, i cili me datën 26 mars është diagnostifikuar me COVID-19. Në një bisedë për Zërin e Amerikës përmes Skype-it, ai thotë se e ka kaluar lehtë virusin. “Lehtë kaloi, jo edhe aq vështirë, nuk e di a për shkak të imunitetit tim që e kam goxha të fortë apo virusi ka qenë më i dobët tek unë, por mirë kaloi”, tha ai.
“Prej momentit që kam rezultuar pozitiv dhe deri te testi i dytë negativ kanë qenë 18 ditë të plota, ndërsa kanë qenë 24 ditë prej kohës kur kanë filluar të shfaqen simptomat ndërsa koha kur është dyshuar që unë jam infektuar kanë qenë 38 ditë nga ajo kohë. 38 ditë deri kur kam rezultuar negativ”, tha ai.
Bylykbashi thotë se simptomat e virusit i ka kuptuar përmes medieve ndërsa tregon se kur kishte filluar të dyshojë se mund të jetë i prekur. “Kur filluan të më shfaqen simptomat, i pata dyshimet e mia, gjithsesi dyshimet m’u forcuan në ditën e tretë kur u zgjova prej gjumit edhe nuk munda të zgjohem nga krevati për shkak të plogështisë së muskujve dhe dhimbjeve të nyjeve.
Aty dyshova që jam i prekur prej koronavirusit ndërsa dyshimet e mija u vërtetuan vetëm tri orë më pas kur temperatura më kaloi mbi 38 gradë. Në atë moment unë e njoftova institutin ndërsa me rekomandim të institutit kam qëndruar edhe pak në shtëpi për të përcjellë gjendjen time edhe për të parë apo vazhdojnë. Pas 30 orëve më rekomanduan të drejtohem në infektiv”, thotë Bylykbashi.
Ai thotë se pas rezultatit pozitiv ka qëndruar një natë në Klinikën Infektive prej nga pastaj është liruar të shërohet në shtëpi. Zoti Bylybashi thotë se e di ditën përafërsisht kur është infektuar, por nuk e di nga kush. “Kanë qenë ditë shumë të ngarkuara me punë, kanë qenë ditë shesh xhirimesh nëpër gjithë Kosovën, kontaktet kanë qenë të shumta me njerëz, kontakte përveç me njerëz kam pasur edhe gjësende tjera kështu që me të vërtetë nuk mund ta dijë se ku saktë”, tha ai.
Kosova ka filluar zbatimin e masave të rrepta të kufizimit të lëvizjes, i cili lejon qytetarët e moshës mbi 16 vjeçare dhe nën 65 vjeç, të dalin nga shtëpitë vetëm një herë në ditë për një orë e gjysmë për t’u furnizuar me mallra të domosdoshme. Zoti Bylykbashi thotë se këto masa janë të nevojshme por të vonuara.
“Është shumë më mirë të qëndrojmë në shtëpi për një kohë derisa kjo të kalon ose të paktën të zbutet periudha e virusit, panik jo sepse po bëjnë panik shumë të panevojshëm. Paniku nuk të sjellë asgjë tjetër përveç probleme përveç përkeqësimit të gjendjes. Frika është po ashtu e njëjtë, ta ruajmë qetësinë sa më shumë dhe po u kapëm nga ky virus ta tejkalojnë sa më lehtë dhe më qetë”, tha ai.
Ai thotë se tashmë do të angazhohet si vullnetarë në qendrën e studentëve në Prishtinë, që është shndërruar në karantinë për qytetarët që kthehen nga jashtë Kosovës. Nuk ka ende ndonjë ilaç apo vaksinë kundër koronavirusit, por “unë kam përdorur vitaminë c dhe paracetamol”, tha zoti Bylykbashi. “Për paracetamol nuk kam pasur shumë nevojë maksimumi pesë herë, në ditët tjera asnjëherë. Çaj, ujë të nxehtë me limon më është preferuar për mëngjes, të cilat besoj që më kanë ndihmuar. Tash nuk e di a është psiqike apo me të vërtetë më kanë ndihmuar, unë ja arrita”.
Në Kosovë deri të enjten mbrëma janë konfirmuar 449 persona të prekur me COVID-19. Dymbëdhjetë veta kanë humbur jetën, ndërkaq 79 prej tyre janë shpallur të shëruar.