Procesi i Buxhetimit me Pjesëmarrje, një nga nismat më të rëndësishme të përfshirjes qytetare në vendimmarrje, ka vijuar në njësinë administrative Gjergjan, ku pjesëmarrja masive e banorëve tregoi për përgjegjësinë dhe besimin e tyre ndaj këtij procesi.
Në takim morën pjesë kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, deputetja Evis Kushi, si dhe kryetari i Njësisë Administrative Gjergjan, të cilët bashkëbiseduan me banorët për problematikat e zonës dhe vendosën së bashku prioritetet për investimet e ardhshme.
Kryetari i njësisë bëri një përmbledhje të punëve të realizuara gjatë vitit, mes të cilave u përmendën, asfaltimi i rrugës Muriqan – Gjergjan, ndërhyrje në infrastrukturën rrugore në fshatin Thanë, sistemime dhe asfaltime në fshatin Gjergjan, punime për rrugën Kodër Bujaras – Bujaras.
Në fjalën e tij, kryebashkiaku Gledian Llatja prezantoi projektet që po realizohen dhe planifikimet e reja për përmirësimin e infrastrukturës rurale.
“Jemi duke investuar në shtrimin e rrugëve në disa fshatra dhe lagje të brendshme, përfshirë Bujaras dhe Kodër Bujaras, një premtim i kahershëm tashmë i mbajtur,” tha ai.
Llatja shtoi se tashmë Bashkia Elbasan ka ngritur një ndërmarrje të veçantë për zonat rurale, ASHP, dhe synon të krijojë edhe dy struktura të dedikuara për zonën poshtë dhe lart të Shkumbinit, me qëllim që shërbimet dhe mirëmbajtja e rrugëve të jenë më pranë banorëve.
Deputetja Evis Kushi vlerësoi angazhimin e Bashkisë Elbasan dhe theksoi se “bashkëpunimi i të gjithëve është i domosdoshëm për të ecur përpara dhe për të sjellë më shumë punë të mira në këtë zonë.” Ajo nënvizoi se kryetari Llatja e ka gjithmonë në vëmendje zhvillimin e zonave rurale si Gjergjani e Shirgjani si zona bujqësore apo fshatra të tjerë që kanë potencial turistik.
Ky takim në Gjergjan është pjesë e turit të gjerë të takimeve të Bashkisë Elbasan në kuadër të procesit të Buxhetimit me Pjesëmarrje, përmes të cilit banorët kanë mundësinë të shprehin nevojat e tyre dhe të vendosin së bashku prioritetet për zhvillimin e komunitetit.