“Bunkeri” dhe cinizmi, armët e Elbasanit për “Final 4”. Verdheblutë duan fitoren ndaj Vllaznisë

Kampionati po hyn pak e nga pak në pikën kulmore të saj, teksa çdo javë tregon më shumë për ekipet që do pretendojnë dhe ato që synim do të kenë mesin e artë apo mbijetesën.

Elbasani, duket se do të jetë një nga skuadrat që do të synojë “Final 4”, sepse jo më kot është në krye pas pesë javësh të para. Mirëpo, ajo që në njëfarë mënyre mund t’i vërë “vulën” këtij pretendimi është ndeshja e radhës me Vllazninë.

Për këtë arsye, përpara ndeshjes me shkodranët, verdheblutë shohin më shumë sesa tri pikë në lojë. Së pari, shohin mundësinë për të ruajtur kreun e klasifikimit dhe për të mos lejuar rivalët shkodranë t’i parakalojnë.

Për ekipin e drejtuar nga Ivan Gvozdenoviç, sfida me kuqeblutë është prova më e madhe e këtij fillim kampionati. Kryesorja është të mos munden: humbja do të hapte rrugën për Vllazninë, ndërsa barazimi apo fitorja do të ruante pozitat dhe moralin e lartë të skuadrës. Dy janë arsyet që në Elbasan janë optimistë: siguria në prapavijë dhe cinizmi në sulm.

“BUNKERI” NË MBROJTJE – Deri tani Elbasani ka ruajtur të paprekur kolonën e humbjeve. Pas pesë javëve, verdheblutë kanë treguar se janë skuadër që i rezistojnë kujtdo, një ekip që është bërë tepër i vështirë për t’i marrë pikë. Ky stabilitet është edhe arma kryesore me të cilën shkojnë drejt një dueli që përtej spektaklit ka peshën e kreut të tabelës. Asnjë ekip nuk ndërton suksese pa një mbrojtje solide dhe Elbasani i këtij sezoni shihet si shembulli më i mirë i kësaj.

Në pesë ndeshje të zhvilluara, skuadra ka pësuar vetëm një gol, statistikë mbresëlënëse që e bën automatikisht skuadrën më të fortë të kampionatit sa i përket aspektit difensiv. Ai gol i vetëm erdhi në barazimin në Rrogozhinë, ndërsa në katër ndeshjet e tjera porta është mbajtur e paprekur. Mbrojtja e organizuar dhe siguria e portierit kanë ndërtuar një mur të vështirë për t’u thyer. Është një tregues se puna e Gvozdenoviçit ka dhënë rezultat dhe se ekipi ka fituar qetësi, disiplinë dhe ekuilibër. Për një kampionat të gjatë e të fortë, të kesh një prapavijë që nuk dorëzohet është baza mbi të cilën mund të ndërtohen fitore të rëndësishme.

CINIZMI NË SULM – Në anën tjetër, sulmi i Elbasanit po funksionon me rregullsi, edhe pse jo me shpërthime të mëdha. Verdheblutë kanë shënuar katër gola deri tani, mesatarisht një në çdo ndeshje. Është një ritëm i qetë, që nuk mahnit, por që ka garantuar rezultatet e duhura për të qëndruar në krye. Përjashtim bën sfida e fundit me Teutën, ku sulmi nuk gjeti rrugën e rrjetës dhe ndeshja u mbyll pa gola.

Ky repart ende ka hapësirë për t’u përmirësuar, sidomos kur vjen puna për të shfrytëzuar rastet dhe për të mbyllur ndeshjet. Megjithatë, rendimenti aktual ka qenë i mjaftueshëm për të dhënë fitoret që kanë çuar Elbasanin në majë. Nëse mbrojtja është baza e suksesit, sulmi mbetet garancia që ky sukses të shndërrohet në vazhdimësi. Me një mbrojtje të hekurt, me një sulm që shënon aq sa duhet, edhe pse me “pikatore”, Elbasani shkon drejt sfidës me Vllazninë i bindur në forcat e veta. Është një përballje që mund të përcaktojë jo vetëm klasifikimin e momentit, por edhe moralin për javët e ardhshme.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL