Broja e ka vendosur, ja në cilin klub kërkon të transferohet sulmuesi i Kombëtares shqiptare

Oferta të shumta kanë ardhur për Armando Brojën, teksa sulmuesi i Kombëtares shqiptare kërkon me çdo kusht largimin e tij nga Chelsea.

Dhe klubi i Premier League është i gatshëm ta shesë 22-vjeçarin, teksa së fundmi e ka larguar dhe nga ekipi i parë, për t’u stërvitur me skuadrën e U21.

Ofertat për të nuk mungojnë, ku së fundmi në garë është futur dhe Stuttgart, me klubin gjerman që ka kërkuar huazimin e Brojës. Por mediat pranë “Bluve” duket se kanë zbuluar dëshirën e yllit të Kombëtares tonë. Sipas tyre, dëshira e vetme e Brojës është Everton.

Gjithsesi, edhe pse dëshira e Brojës është të qëndrojë në Premier League, klubi nga Liverpul e ka të pamundur të transferojë 22-vjeçarin duke parë pretendimet e larta të Chelseat. Sipas mediave, Everton do të provojë dhe njëherë të fundit për Brojën, kësaj radhe me formën e huazimit.

Duket se “Blutë” e Londrës po dorëzohen sa i përket sulmuesit të Kombëtares kuqezi dhe janë tashmë të gatshëm të dëgjojnë çdo ofertë që do të vijë për të.

Top Channel