Thursday , April 24 2025

Breshëri dëmton të mbjellat në fshatrat e Elbasanit, fermerët kërkojnë ndihmë

Një stuhi breshëri e cila zgjati për rreth një orë bëri që puna e një viti e fermerëve në zonën e Treganit dhe Bathës në Elbasan të shkojë dëm.

Një ditë më pas këtu duken pasojat e jashtëzakonshme e breshërit. Sipas fermerëve të zonës, kjo situatë nuk kishte ndodhur prej vitesh.

“Ka shumë vite që nuk mbahet mend ky breshër që ishte dje. Mbajti një orë dhe shkatërroi çdo gjë, të mbjellurat nëpër fusha, pemëtoret. Kam 10 dynym ullinj në kodër, u shkatërruan.

Kanë rënë komplet lulet në tokë, nuk jep prodhim më ajo pemë.  Ka mbajt shumë, çdo gjë u shkatërrua me qershi, ullinj, rrush sidomos qershitë që në fshatin Bathes është qershia e parë, në të gjithë Bathesin del i pari në treg. Tani në Maj ajo dilte në treg. U dëmtua, nuk bën më prodhim”, tha zonja.

“Dëm i madh nuk  është parë kurrë, po bëhem 65 vjeç dhe ska rënë breshër kështu. Kemi qarë kur dolëm jashtë, ishte bërë nami. Pema kishte rënë e gjitha poshtë, 200 rrënjë ullinj dhe dy dynym tokë qershi. Fëmia punon gjithë ditën në qershi e kur vjen puna bëhet gjithë ajo hata. Megjithatë nuk është faji i robit, është nga Zoti. Po pat mundësi shteti të na ndihmojë”, tha 65-vjeçarja.

Stuhia zgjati rreth 1 orë ndërsa kokrrat e breshërit shkatërruan kulturat bujqësore. Në këto kushte fermerët kërkojnë ndihmë për të përballuar dëmet e kësaj fatkeqësie natyrore.

“Shumë na dëmtoi. U bëra 59 vjeçe dhe një breshër të tillë nuk kam parë. Çdo gjë e shkatarroi për një orë. Ullishten, agrumet, bahçen të gjitha çfarë patëm mbjellë u zhdukën”, shtoi një zonjë tjetër.

Të mbjellat e pranverës dhe pemët kanë pësuar dëme të konsiderueshme nga breshëri. Zona e Bathësit dhe Treganit janë të njohura për kulturat e ullirit, qershisë, portokalleve dhe rrushit./euronews