Ngritja e Bordit të Karburanteve premtoi transparencë mbi çmimet, për të mbrojtur konsumatorët nga abuzimet. Por sot, në vendimin e fundit për nivelin tavan të tregtimit me pakicë, nafta do të jetë më e shtrenjtë, se sa vetë formula që qeveria ka përcaktuar me akt normativ.
Në pikat e tregtimit me pakicë, nafta do të shitet për 237 lekë për litër, benzina për 211 lekë për litër, ndërsa gazi me 116 lekë për litër, me këtë të fundit që shënon një rekord të ri në treg.
Sipas të dhënave zyrtare që publikon Agjencia e Prokurimit Publik, çmimi i gazoilit që zhdoganohet sot është 1177 dollarë për ton. Sipas formulës, këtij çmimi i shtohet një premio prej 20 dollarësh, taksat, marzhi 1% për tregtarët me shumicë dhe marzhi 5% për tregtarët me pakicë. Me kursin e sotëm të dollarit, nafta kushton rreth 113 lekë për litër pa taksa, ndërsa në pompat e karburantit duhet të ishte maksimalisht 229 lekë, 8 lekë më lirë nga sa ka vendosur sot Bordi i Transparencës.
Krahasimisht, në datën 23 mars, kur nafta e përpunuar vinte në port edhe më shtrenjtë, me 1204 dollarë për ton, bordi vendoste një çmim prej 227 lekësh për litër, dhe sot kur vjen më lirë, vendos një çmim më të lartë.
Më 23 mars, kursi i këmbimit për dollarin amerikan ishte 111.6 lekë, thuajse 1 lek më i lartë se sa sot, kur është stabilizuar dhe po prek nivelet më të ulëta të muajit. Pyetjet për Bordin e Administrimit të Karburantit janë: ku është transparenca në këtë llogaritje dhe ku shkojnë 8 lekët për litër më shumë që duhet të paguajnë shqiptarët? Çmimet kanë hyrë në fuqi nga sot, dhe pritet të qëndrojnë të pandryshuara deri ditën e enjte 31 mars./a2news/
Nje koment
Pingback: 3reminder