Bojkoti i avokatëve paralizon gjykatat, Fieri dhe Korça bashkohen në protestë pas arrestimit të kolegut në Elbasan

Bojkoti pesëditor i avokatëve ka paralizuar shumë gjykata në vend, përfshirë edhe atë të Fierit, ku çdo ditë zhvillohen mesatarisht 50 seanca penale.

Sipas Ervis Hajdarmatajt, anëtar i kryesisë së Dhomës së Avokatisë në Fier, ky bojkot është një reagim në mbrojtje të qytetarëve dhe të drejtave të avokatëve pas arrestimit të kolegut në Elbasan.

“Mendoj që, sa i përket audios që ne kemi dëgjuar, ku një gjyqtar thotë ‘unë të nxjerr jashtë dhe marr një avokat kryesisht’, do të thotë që ti s’ke asnjë vlerë në gjyq. Kjo për mendimin tim është një shkelje flagrante e gjykatës, por edhe e prokurorit, që ka nisur një debat aspak të duhur apo juridik në sallën e gjyqit,” shprehet avokati Hajdarmataj.

Avokati Ulian Barjami u arrestua dy ditë më parë pas një debati të ashpër me prokurorin Gjergj Ceka gjatë një seance gjyqësore në Gjykatën e Elbasanit. Dhoma Kombëtare e Avokatisë e cilësoi arrestimin si shkelje flagrante të të drejtave të mbrojtësve ligjorë dhe shpalli bojkot të të gjitha çështjeve penale, përveç masave të sigurimit.

Bojkotit i është bashkuar edhe Dhoma e Avokatisë së Korçës. Kryetari Nevzat Tarelli deklaroi se ky është reagimi i vetëm i mundshëm përballë heshtjes së institucioneve dhe një mënyrë për të mbrojtur dinjitetin e profesionit të avokatit.

“Dhoma Vendore e Avokatisë Korçë, në zbatim të këtij vendimi, ka bojkotuar të gjitha seancat gjyqësore penale, përveç atyre që kanë të bëjnë me masat e sigurimit personal, pasi janë të kushtëzuara nga afatet dhe nuk cenohet një proces i rregullt gjyqësor. Është e vetmja mënyrë reagimi që u vlerësua e përshtatshme për shkak të heshtjes së institucioneve përgjegjëse në trajtimin e rastit,” thotë kryetari Tarelli.

Sipas avokatëve, edhe pse bojkotet do të krijojnë ngarkesë në gjykata, trupa e tyre do të vijojë protestën deri në marrjen e masave konkrete për rastin e kolegut të ndaluar në Elbasan.

/rtsh.al/