Bllokoi autostradën Tiranë-Elbasan me inertet që la në mes të rrugës! Nga pezullimi i patentës deri tek gjoba 2 mln lekë, ndëshkohet rëndë shoferi

Policia ka proceduar penalisht dhe administrativisht drejtuesin e një mjeti të tonazhit të rëndë, pas incidentit të ndodhur në autostradën Tiranë–Elbasan, ku inertet e derdhura nga kamioni shkaktuan trafik të rënduar kilometrik. Sipas njoftimit të bluve, 41-vjeçari nga Kruja, po qarkullonte në zonën e Mjull-Bathores me një ngarkesë të pasiguruar, gjë që çoi në rrëshqitjen e materialeve në rrugë.

Përveç procedimit penal, shoferit i është vendosur edhe një gjobë prej 200 mijë lekësh të vjetra, si dhe pezullimi i lejes së drejtimit dhe i lejes së qarkullimit të mjetit.

Njoftimi:

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Nuk respektoi masat e sigurisë për mjetet e tonazhit të rëndë dhe rregullat e qarkullimit, procedohet penalisht dhe administrativisht drejtuesi i kamionit.

Shërbimet e Policisë Rrugore kanë konstatuar në Mjull Bathore, kamionin tip “IVECO”, me drejtues shtetasin A. N., duke qarkulluar me një ngarkesë të pasiguruar.

Nga verifikimet rezultoi se mjeti kishte karakteristika ndërtimore dhe funksionale të ndryshuara në kundërshtim me normat teknike dhe ligjore në fuqi.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. N., 41 vjeç, banues në Krujë, për veprën penale “Shkatërrimi i rrugëve”.

Gjithashtu, ai u ndëshkua me masë administrative gjobë 200 000 lekë, iu pezullua leja e drejtimit dhe iu tërhoq leja e qarkullimit.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, veçanërisht nga drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë, me qëllim parandalimin e aksidenteve.