Bllokimi i aksit Librazhd–Përrenjas ka sjellë pasoja edhe për shërbimin e urgjencave mjekësore që nisen nga Spitali Rajonal i Korçës drejt Tiranës. Për shkak të pamundësisë për të përdorur itinerarin e zakonshëm, ambulancat janë të detyruara të ndjekin rrugën alternative Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh.
Ky segment rrugor është i ngushtë, me kthesa të shumta dhe problematika infrastrukturore në disa pjesë, çka i detyron drejtuesit e mjeteve të emergjencës të ulin shpejtësinë. Si pasojë, zgjatet koha e transportit për pacientët që kanë nevojë për trajtim apo ndërhyrje të specializuar në kryeqytet.
Sipas burimeve spitalore, mesatarisht dy ambulanca në ditë nisen nga Korça drejt Tiranës për raste që kërkojnë shërbime më të specializuara. Në situata të tilla, çdo minutë konsiderohet jetike, ndërsa devijimi i detyruar po krijon shqetësim për stafin mjekësor, pacientët dhe familjarët e tyre.
Në këto kushte, theksohet se problematikat në infrastrukturën rrugore po ndikojnë drejtpërdrejt në zinxhirin e kujdesit shëndetësor, duke shtuar pasigurinë në raste urgjente ku koha është faktor vendimtar.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.