“Bëj ndonjë foto ose video, por kurrë gjatë punës”, vendimi i KLGJ për gjyqtaren nga Elbasani, Kapedani që bënte sfilatë në zyrë thotë se…

Këshilli i Lartë Gjyqësor zbardh vendimin për gjyqtaren e Elbasanti Enkeleda Kapedani, videot e së cilës u bënë virale në rrjetet sociale, pasi bënte sfilatë në zyrë, në makinë duke përdorur celularin dhe në tejkalim të shpejtësisë. Në seancën për pezullimin e saj nga detyra, ajo ka thënë se në punë është shumë korrekte; bën ndonjë foto ose video por kurrë, sipas saj, në orarin e punës.

“… Në punë jam e përkushtuar, korrekte, serioze, edhe pse jam në pozicionin e zëvendëskryetares domethënë kam 50% me shumë ngarkesë në ditë, por nuk ka ditë që unë të mos bëj 5 ose 6 gjyqe, më shumë se sa gjyqtarët e tjerë. Edhe në jetën private jam shumë e kontrolluar, fundjava ime është mbase një ditë me bashkëshortin dhe fëmijët dhe pjesa tjetër sërish arsyetim vendimesh.

Në kaq rrotullohet e gjithë gjëja, jeta, dhe mbase kjo është një formë heqje stresi që të ndodh ndonjëherë ndaj bëj ndonjë foto apo video, por kurrë gjatë orarit të punës pasi përveç gjyqeve jam shumë e zënë me pjesën e administrimit dhe menaxhimit të gjykatës.”

KLGJ i lë disa detyra Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Së pari, ILD duhet të caktojë një ekspert IT dhe të përcaktojë se kush i publikoi videot e Kapedanit në rrjetin “Tik Tok”.

Gjithashtu, Këshilli i kërkon ILD që të verifikojë sa persona kanë pasur akses për t’i parë videot e gjyqtares, si dhe të dokumentojë tekstin e këngëve që shoqërojnë në sfond imazhin e magjistrates, në videon e publikuara në rrjetin e saj të “Tik Tok”.