Basketboll meshkuj/ Start perfekt i Elbasanit, Çela: Ngjitemi në Superiore

Ekipi i Elbasanit të basketbollit për meshkuj këtë vit e ka seriozisht ngjitjen në Superiore. Verdheblutë kanë hyrë këtë sezon në kampionat si një ndër skuadrat favorite dhe tri javët e para po e tregojnë këtë, ku në ndeshjen e fundit mundën Flamurtarin me rezultatin 97-66. Elbasanasit janë në vendin e parë me gjashtë pikë të plota dhe synimi është që me këtë ritëm të vazhdojnë deri në fund.

Të paktën, kështu shprehet në një prononcim për “Panorama Sport” sportisti dhe njëkohësisht zv/trajner i Elbasanit, Alban Çela. Ai kërkon triumfin edhe në ndeshjen e radhës, atë me Skënderbeun në transfertë. “I kemi bërë një nisje të mirë kampionatit dhe jemi me meritë në krye të klasifikimit. Kemi disa vite që tentojmë të ngjitemi në Superiore, por jam i bindur se ky është viti i duhur. Jemi një skuadër me sportistë që nuk na mungon eksperienca dhe ndërthurur edhe me lojtarët e huaj, mendoj se jemi bërë një ekip që do t’i japim tonin kësaj kategorie. Synimi ynë është të fitojmë në çdo ndeshje dhe me këtë mentalitet do të shkojmë edhe në Korçë. Objektivat arrihen vetëm me punë dhe përkushtim dhe ne do të mundohemi ta kthejmë këtë skuadër dhe këtë qytet aty ku i takon në basketbollin shqiptar”, u shpreh në prononcimin e tij për gazetën një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit të Elbasanit, Alban Çela.