Bashkia Elbasan vendos kosha të rinj për menaxhimin e mbetjeve në të gjitha njësitë administrative

Bashkia Elbasan synon përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike dhe mirëmbajtjen e hapësirave të përbashkëta në të gjithë territorin e bashkisë.

Nëpërmjet Agjencisë së Shërbimeve Publike ka filluar vendosja e koshave të rinj të mbetjeve urbane në të gjitha njësitë administrative, si pjesë e planit të Bashkisë për rritjen e standardeve të higjienës urbane dhe mbrojtjes së mjedisit.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, ka theksuar se ky investim është pjesë e vizionit për një qytet më të pastër, dhe më të qëndrueshëm mjedisor.

“Pastrimi dhe mirëmbajtja e hapësirave publike janë pjesë e një strategjie të gjerë për zhvillim të qëndrueshëm. Ne po punojmë çdo ditë që Elbasani të jetë një shembull në menaxhimin e mbetjeve dhe në ndërgjegjësimin qytetar për kujdes ndaj mjedisit,” u shpreh Llatja.

Bashkia Elbasan fton qytetarët dhe bizneset të bashkëpunojnë, duke hedhur mbetjet vetëm në vendet e përcaktuara dhe duke kontribuar së bashku për një mjedis më të pastër dhe të shëndetshëm për të gjithë.