Bashkia Elbasan vendos 30 stacione autobusi SMART: Shërbim modern, i rehatshëm dhe i aksesueshëm për qytetarët. Si funkionon

 Bashkia Elbasan, në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, ka nisur transformimin e infrastrukturës së transportit urban me vendosjen e 30 stacioneve të reja autobusi SMART, duke sjellë një standard të ri modern për qytetin dhe zonat periferike.

Stacionet inteligjente ofrojnë një sërë shërbimesh bashkëkohore që rrisin komoditetin dhe cilësinë e udhëtimit për qytetarët:

Orar fikse dhe informacion në kohë reale – udhëtarët mund të shohin saktësisht se kur mbërrin autobusi, duke shmangur pritjet e panevojshme.

Wi-Fi falas dhe karikim telefoni – stacionet janë të pajisura me pikë karikimi dhe internet falas, duke e bërë pritjen më të lehtë dhe më funksionale.

Teknologji eko-miqësore – të gjitha stacionet funksionojnë me panele diellore, duke reduktuar konsumin e energjisë dhe duke kontribuar në një qytet më të gjelbër.

Projekti ka nisur me linjën Fushembret – Ura e Lizës, ndërsa Bashkia Elbasan bën të ditur se shumë shpejt teknologjia SMART do të shtrihet në të gjitha linjat e transportit urban të qytetit.

Ky investim shihet si një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të transportit publik dhe rritjes së cilësisë së jetës për qytetarët, duke e kthyer pritjen e autobusit në një eksperiencë të re, të sigurt dhe bashkëkohore.