Po shkon drejt finalizimit Plani Vendor i Veprimit për Barazinë Gjinore 2025 – 2030 i cili u përgatit nga Bashkia Elbasan me mbështetjen e UN Women Shqipëri në kuadër të zbatimit të projektit: Bashkimi Evropian për Barazinë Gjinore II – Instrumenti i Lehtësimit të Barazisë Gjinore në Shqipëri” (EU4GE II), që financohet nga Bashkimi Evropian.
Anëtarët e Forumit OGP Elbasan ishin pjesë integrale e konsultimeve publike për planin e ri vendor, krahas UN Women dhe aktorëve lokalë.
Bashkia Elbasan është angazhuar seriozisht për zbatimin e Kartës së Barazisë Gjinore dhe të të gjitha detyrimeve të legjislacionit në fuqi, në lidhje me barazinë gjinore.
Gjatë periudhës 2022 – 2024, Bashkia Elbasan ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt institucionalizimit të barazisë gjinore, përmes forcimit të rolit të strukturave përgjegjëse.
Janë zhvilluar aktivitete të fuqizimit të kapaciteteve për përfaqësuese e përfaqësues të institucioneve publike dhe janë realizuar fushata të vazhdueshme sensibilizuese me të rejat e të rinjtë, gratë dhe komunitetin e gjerë mbi çështje të dhunës me bazë gjinore, të drejtat e grave dhe rëndësinë e përfshirjes së tyre në vendimmarrje, etj.
Gjithashtu, kanë vijuar nismat për integrimin gjinor në planifikimin dhe buxhetimin vendor, si dhe janë mbështetur gratë e të rejat, nga grupe të ndryshme, përmes kurseve të formimit profesional dhe promovimit të vetëpunësimit.
Një sërë masash e aktivitetesh të rëndësishme janë zhvilluar edhe në lidhje me menaxhimin e rasteve të dhunës ndaj grave e vajzave e dhunës në familje, të cilat kanë synuar që nga fuqizimi i Mekanizmit të Koordinuar të Referimit të këtyre rasteve dhe deri te përmirësimi i efektivitetit të menaxhimit, duke evidentuar edhe koston që Bashkia Elbasan duhet të dedikojë për çdo rast.
Në vitin 2024, Bashkia Elbasan, realizoi me sukses kostimin e vlerës së menaxhimit të rasteve të dhunës me bazë gjinore, duke konsideruar të gjitha hapat që ndërmerren për zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe përmbushjen e detyrimeve që bashkia institucionalisht ka në këtë drejtim.
Ky kostim, i pari i tillë i realizuar në mbarë vendin, falë mbështetjes dhe ekspertizës teknike të UN Women Shqipëri, evidentoi jo vetëm vlerën e kësaj kostoje, por edhe hendekun financiar në këtë drejtim dhe hapat që duhet të ndërmerren për plotësimin e tij.
Menjëherë pas kostimit, Bashkia Elbasan, reflektoi në buxhetin e saj vjetor një rritje të vlerës financiare dedikuar menaxhimit të rasteve të dhunës me bazë gjinore. Megjithëse ngjashmërisht janë bërë përparime të prekshme edhe në fushat e tjera të zbatimit të PVVBGJ 2022 – 2024, në raportin e monitorimit, theksohen edhe sfida të vazhdueshme, si nevoja për burime më të qëndrueshme njerëzore dhe financiare, rritja e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përmirësimi i sistemit të monitorimit dhe raportimit të ndjeshëm gjinor.
Këto përvoja dhe mësime të nxjerra shërbyen si themel për planifikimin e veprimeve që janë parashikuar si pjesë e PVVBGJ 2025 – 2030.
Plani Vendor i Veprimit për Barazinë Gjinore (PVVBGJ) 2025 – 2030, i treti dokument i kësaj natyre në Bashkinë Elbasan, u hartua përmes një procesi ndërveprues dhe gjithëpërfshirës, në bashkëpunim dhe konsultim të ngushtë me institucionet publike vendore, organizatat e shoqërisë civile, Aleancën e Grave Këshilltare, anëtare e anëtarë të Këshillit Bashkiak si dhe të Forumit për Qeverisjen e Hapur (OGP) I gjithë procesi u mbështet nga UN Women Shqipëri në kuadër të Projektit “Bashkimi Evropian për Barazinë Gjinore II – Instrumenti i Lehtësimit të Barazisë Gjinore në Shqipëri” (EU4GE II), që financohet nga Bashkimi Evropian.