Bashkia Elbasan në terren/ Rrugët e kalueshme: 5 fadroma, 2 borëpastruse dhjetëra punonjës të angazhuar për pastrimin e akseve

Bashkia Elbasan bën të ditur se të gjitha rrugët në fshatrat e territorit të saj janë aktualisht të hapura dhe të qarkullueshme, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike.
Gjatë gjithë ditës janë angazhuar intensivisht strukturat e bashkisë, me 5 fadroma, 2 borëpastruese, 4 kamionë, 3 foristrada dhe dhjetëra punonjës, duke punuar pa ndërprerje për pastrimin dhe mbajtjen hapur të akseve rrugore. Megjithatë, reshjet e vazhdueshme të dëborës po e vështirësojnë ndjeshëm punën e ekipeve në terren.
Nisur nga kjo situatë, si dhe nga fakti që gjatë natës parashikohet rënie e mëtejshme e temperaturave dhe shtim i ngricave, Bashkia Elbasan u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të mos qarkullojnë pa zinxhirë në akset rrugore Elbasan–Gjinar, Elbasan–Labinot Mal, Elbasan–Gracen dhe Elbasan–Funar.
Aktualisht, mjetet dhe ekipet janë të pozicionuara në zonat Mollagjesh, Zavalinë, si dhe në rrugët që lidhin fshatrat me qendrën e njësisë administrative Labinot Mal, për të garantuar qarkullimin dhe sigurinë e banorëve.
Kryetari i Bashkisë Elbasan Gledian Llatja ndodhet në terren për të ndjekur nga afër situatën dhe për të koordinuar punën e strukturave, duke garantuar se bashkia është në gatishmëri të plotë në çdo moment për të ndërhyrë në rast të çdo problematike që mund të shfaqet.
Sa i përket reshjeve të shiut në qytet dhe zonat e ulëta, pavarësisht intensitetit të tyre, deri më tani nuk janë evidentuar problematika të mëdha.
Bashkia Elbasan apelon për kujdes të shtuar nga qytetarët dhe respektim të udhëzimeve të strukturave përgjegjëse.

Për çdo situatë të mundshme emergjente, ju kujtojmë numrat e kontaktit:

Policia e Shtetit: 129

Zjarrfikësja: 128

Numri unik i emergjencave: 112

Për emergjenca të lidhura me furnizimin me ujë, në dispozicion janë edhe numrat e Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve:

+355 68 641 6064

+355 69 475 0333