Bandat shqiptare s’kanë të ndalur/ Arrijnë deri në Karaibe, si shtiren kriminelët si biznesmenë

Karaibet mund t’i keni parë si destinacionet më ekzotike për turistët. Megjithatë aty ku ka më shumë njerëz, ndodhin edhe “punët e pista”.

Interpoli paralajmëroi për operacionin e mafias ruse në Kankun, pasi ata planifikonin kontrabandë të madhe droge, armë dhe vjedhje makinash për t’u dërguar në Spanjë, Itali dhe Portugali, përmes porteve të ndryshme në Quintana Roo, veçanërisht në ishullin Cozumel.

Në vijim u zbuluan pesë organizata me bazë në Riviera Maya, duke përfshirë: Solntsevskaya, e cila është ukrainase, dhe nga Çeçenia, Gjeorgjia, Armenia, Lituania, Polonia , Kroacia, Serbia, Hungaria, Rumania, si edhe nga Shqipëria.

Organizatat shqiptare janë identifikuar si Tambosvkaya, Poldolskaya, Mazukinskaya dhe Izamailovskaya, të lidhur me organizatën kryesore të njohur si Vory V Zakone (Hajdutët e ligjit).

Interpoli, ashtu si DEA, siguroi se këto grupe kriminale kërkojnë të krijojnë një urë për trafikun e drogës, tregtinë e paligjshme të armëve, pastrimin e parave dhe trafikimin e qenieve njerëzore drejt Shteteve të Bashkuara si dhe të kontrollojnë prostitucionin.

Në vitin 2020, përmes një raporti, DEA tha se Quintana Roo u bë një “pikë transferimi” për drogën, destinacioni përfundimtar i së cilës është tregu i SHBA. Danielle Dreyer, një agjente, e cila depërtoi në kartelin Sinaloa, shpjegoi se që nga viti 2018 droga ka mbërritur në Quintana Roo nga Guatemala, Kolumbia dhe Venezuela, të cilat më vonë janë transferuar në vendin fqinj nga toka, ajri ose deti, shkruan abcnews.al.

Raporti është pjesë e procedimit penal kundër meksikanëve Raymundo Montoya López, Abraham Alfonso García Montoya dhe Felizardo Díaz Hernández, të kapur në shtator 2020 në brigjet e Quintana Roo, kur në bordin e një varke ata synonin të transportonin rreth tre ton drogë në Shtetet e Bashkuara. DEA theksoi se aktiviteti kriminal ishte regjistruar në Chetumal, megjithatë, ai është përhapur edhe në shtete të tjera të Gadishullit Jukatan, si Campeche, ku u bë e mundur verifikimi i lidhjeve që kanë bizneset e mëdha me kompanitë kolumbiane dhe njerëzit e Amerikës Qendrore.