Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Elbasanin, Taulant Balla zhvilloi një takim me gratë dhe vajzat e rajonit nr. 1 në Elbasan. Duke e cilësuar si një hap historik, Balla tha se asnjë parti në Shqipëri nuk i ka dhënë grave më shumë pushtet e përgjegjësi sesa i ka dhënë Partia Socialiste.
“Jo vetëm në përfaqësimin tonë në qeveri, por më shumë së kaq ishte angazhimi i PS që gratë të ishin minimalisht 30 % e listës me detyrim dhe lista nuk pranohet nëse lista nuk ka 30 %. Këtë vit ishte e pamundur. Ose duhet t’i kesh gratë në krye të listës, ose nuk pranohet lista. Kjo do të jetë një fitore shumë e madhe për të na garantuar që 1/3 e parlamentit minimalisht të jetë me gra që domosdoshmërisht duhet të kontribuojnë për një shtensionim të jetës në vend”, tha Balla.
Duke u ndalur tek punësimi, Balla theksoi se gjatë periudhës së pandemisë në Elbasan nuk u humb asnjë vend pune. Për të ecur në këtë ritëm, ai u shpreh se është i nevojshëm mandati i tretë.
“Na duhet një mandat tjetër për t’i dhënë Elbasanit edhe disa fabrika të tjera punësimi, atë të prodhimit të pjesëve të këmbimit të makinave, atë të pajisjeve të tjera që do të na rrisin mundësitë dhe kapacitetet për të punësuar jo vetëm gratë, por edhe burrat”, tha Balla.
Kreu i grupit parlamentar të PS, ironizoi edhe Partinë Demokratike për të cilën tha se është turp kur shprehen se do të sjellin ndryshimin. “Në një kohë si kjo që po kalon Shqipëria nuk mund t’ia lemë timonin një njeriu që haber nuk ka si puna e Lulit, por do t’ia lemë timonin Edi Ramës që të vazhdojë të çojë para këtë proces transformimi dhe unë jam shumë i vendosur për t’i kthyer Elbasanit, diçka që Elbasani nuk e ka pasur në 70 vjet. Aleati më i madh i yni në këtë transformim janë gratë dhe vajzat”, u shpreh Balla në fund të fjalës së tij.