Teksa aksi rrugor nga Elbasani në Lekaj do të kthehet në autostradë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur kompanitë që do të kryejnë punimet në 3 lote të këtij segmenti.
Tenderët u hapën pak muaj më parë për 6 lote të rrugës, teksa 3 prej tyre duket se janë ende në proces.
Referuar ofertave fituese, në total tre lotet do të kushtojnë rreth 6 mld lekë, pa TVSH apo 1.5 mld lekë më pak se fondi limit i vënë në dispozicion.
Kjo rrugë është pjesë e korridorit 8 dhe sipas dokumenteve të tenderit projekti fillon në afërsi të ish- Kombinatit Metalurgjik në Elbasan, ku do të bëhet lidhja me bypassin e Elbasanit, që është në projektim e deri në Lekaj, ku bashkohet me autostradën ekzistuese të korridorit blu.
Gjatësia e rrugës është 40.7km dhe kalon në rajonet Elbasan (Bradashesh, Shirgjan, Gjegjan, Cërrik, Papër), Peqin (Pajovë, Shez, Gjocaj, Peqin, Karine) dhe Kavajë (Sinaballaj, Rrogozhinë).
Nisur nga kategoria e rrugës shpejtësia e lejuar pas përfundimit të punimeve do të jetë në intervalin 90 km/orë deri në 140 km/orë.
Korridori 8 konsiderohet si projekti bërthamë i infrastrukturës në vendin tonë, teksa në total për realizimin e kësaj vepre rrugore janë rreth 350 mln euro fonde publike për 14 segmente.
Ecuria për përfundimin e secilit prej tyre është e ndryshme, teksa më të avancuar janë segmentet nga Elbasani në Qafë Thanë.