Në kaq vite që e shohim në ekran nuk thua dot kurrsesi se Marina Vjollca ka ndjekur formulën e bujës dhe të zhurmës. Madje jo vetëm s’e thua dot, por ke gjithë faktet në tavolinë që të vërtetojnë se në fakt ka bërë krejtësisht të kundërtën. Atë që duket sikur është dënim me harresë për një fytyrë të njohur: të shohë punën e saj, të mos shfaqet thuajse në asnjë nga pikat e zhurmshme të Tiranës, të mos ndodhet aty ku ka kamera e aparate me shumicë, të mos ushqejë thashethemet që thuhen apo shkruhen për të, të mos iu përgjigjet hamendësimeve për shtatzëni çdo 6 muaj, të mos sulmojë askënd, të mos bëjë publik asnjë reagim a mendim të sajin për çfarëdo ngjarje të bujshme që ndodh, të mos ulet nëpër studio televizive, të mos bëjë “ask” në ‘Intagram’, të mbajë për vete jetën private.
(S’)i ka bërë të gjitha këto e mos më shumë, e megjithatë jo vetëm që nuk është dënuar me hije, por është një nga vajzat më të pëlqyera. Duke ndjekur një formulë krejt tjetër, Marina ka krijuar figurën e moderatores që poshtë komenteve të fotove në ‘Instagram’ nuk i vjellin vrer, as e sulmojnë, aq më pak ta shajnë. Vetëm zemra të kuqe dhe shumë dashuri. Ajo vetë thotë se e ka provuar edhe atë shijen e hidhur të sulmit në rrjet, por me siguri që ka qenë në doza minimale.
Ama është diçka që e provon përditë: presionin e të qenit perfekte. Atë kallëpin ku i fusim sot vajzat e njohura dhe lupën ku i kalojmë përditë për t’u gjetur qoftë e papërsosmërinë më të vogël. Por Marina ka bërë paqe edhe me këtë, duke mos devijuar as centimetrin: “Kurrë s’do pëlqehesh nga te gjithë. Këtë kam vite që e kam kuptuar, ndaj as nuk eksperimentoj në sjellje dhe mbaj totalisht natyrën time”. Dhe pikërisht me këtë natyrën e saj diskrete, figurën e pastër dhe profesionalizmin, shtoji të gjithës edhe imazhin prej Barbie, Marina që pëlqente të vishte krijimet e “Elisabetta Franchi”-t në ekran sepse i rrinin mirë dhe i theksonin pikat e forta, ra në sy të vetë stilistes italiane, e cila e përzgjodhi si imazh të brandit të saj, i besoi ekskluzivitetin e “Elisabetta Franchi” në Shqipëri dhe e prezantoi në faqen e saj me mbi 2 milionë ndjekës, ku Marina shfaqet herë pas here veshur me krijimet e Elisabetta-s.
Prezantimi i Marinës si një grua biznesi është shumë pranë. E megjithatë mos prisni zhurmën e madhe prej saj e as mos e mendoni se për ta hedhur edhe një këmbë nga biznesi thjesht ka ndjekur trendin e shumicës së vajzave të ekranit. Ajo ka një filozofi të sajën: të kërkosh më shumë nga vetja. Kjo është Marina, vajza e bukur e ekranit, që sapo fiken dritat e skenës ia mbath për në shtëpi, shijon dashurinë me Getin, shtron darka për miqtë e ngushtë dhe me fustane kukullash, të cilët shumë shpejt do t’i sjellë edhe për të gjitha vajzat shqiptare.
Marina tregon se jeta e saj përtej derës së shtëpisë është njësoj si e çdo shqiptari, me shumë dashuri, grindje, njerëz, muzikë dhe gatime të mira. Moderatorja thotë se të dy bashkë me Getin janë natyra që ju pëlqen qëndrimi në shtëpi dhe na surprizoi të gjithëve teksa zbuloi se reperi është një kuzhinier i shkëlqyer.
/revista who