Nisur nga shtimi i numrit të të infektuarve me Covid-19 ditëve të fundit, drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, foli në “Opinion” për situatën në vend. Sipas tij, “për momentin, as që mendohet të mbyllemi sërish në karantinë”. I vetmi skenar që mund të rikthejë vendin në izolim total është rritja e infektimeve deri në një pikë ku nuk përballohen më nga sistemi shëndetësor.
“Ne mund të mbyllemi vetëm nëse numri i kapaciteteve në spitale arrin aq shumë sa i tejlakon të gjitha resurset tona, si në burime njerëzore, pra në mjekë dhe infermierë, si në shtretër.” – tha Brataj.
Aktualisht sistemi shëndetësor zotëron 400 shtretër, nga të cilët 44 janë të zënë. Sipas drejtorit të Urgjencës Kombëtare, vendi shkon në izolim nëse numri i të shtruarve arrin në 400. Megjithatë ai theksoi se nuk mendon se do të shkojmë sërish në izolim. “Tani kemi dhe një gjë pozitive pasi koha e shërimit është më e shkurtër se më parë,” shtoi ai.