Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë (ILD) ka nisur verifikimet me iniciativë për rastin e ndalimit të avokatit Ulian Barjami.
Ky i fundit u lirua nga qelia pasditen e djeshme pasi u ndalua tre ditë më parë nga oficerët e Policisë Gjyqësore pas një padie të ngritur nga prokurori Gjergji Ceka, me pretendimin se ishte kërcënuar nga avokati gjatë seancës gjyqësore në Gjykatën e Elbasanit.
Inspektorë të ILD-së kanë shkuar sot në Elbasan për të administruar praktikën dhe rrethanat proceduriale të ndalimit të avokatit.
Barjami dhe Ceka u përfshinë në një debat në sallën e gjyqit, pasi avokati akuzoi prokurorin se kishte paraqitur prova false dhe do e kallëzonte penalisht. Por Prokurori e interpretoi këtë qëndrim të avokatit si kërcënim, madje paralajmëroi arrestimin në sallën e gjyqit. Edhe gjyqtarja që drejtonte seancën ka mbajtur një qëndrim të mbështetje të prokurorit Ceka, duke ‘kryqëzuar’ avokatin.
Avokati u lirua nga qelia pas një presioni në rritje që çoi edhe në një bojkot 5 ditor të sallave të gjyqeve nga avokatët penalistë.