Friday , June 6 2025

Armando Broja në bisedime me katër klube evropiane, Igli Tare e do te Milani

Armando Broja është pranë një ndryshimi të madh në karrierën e tij. Sulmuesi i kombëtares shqiptare, pas një periudhe të vështirë te Chelsea, është në bisedime me katër klube të njohura evropiane.

Sipas “TheSun”, Milani dhe Ajaxi kanë shfaqur interes konkret, ndërsa kontaktet me PSV Eindhoven dhe RB Leipzig kanë hyrë në fazë interesante. Të katër klubet e shohin Brojën si një investim premtues për sulmin, duke marrë parasysh potencialin dhe moshën e tij.

Ka edhe një detaj që nuk duhet nënvlerësuar, pasi te Milani është drejtor sportiv shqiptari Igli Tare. Me kuqezinjtë që ishin pas Brojës edhe pse Tare të ishte në këtë post, duket se ‘Bjondi’ mund të shtyjë më shumë operacionin dhe të bëjë që Broja të jetë nën urdhërat e Max Allegrit.

23-vjeçari pati një sezon të komplikuar për shkak të dëmtimeve dhe luajti në huazim te Everton vetëm 11 takime. Edhe pse kontrata e tij me “Blutë” zgjat deri në vitin 2028, vetë lojtari preferon një transferim të përhershëm, në mënyrë që të ketë minutat dhe qetësinë që i nevojiten për të rilindur si futbollist.

Klubi londinez është i hapur për shitjen e tij dhe një tarifë rreth 20 milionë euro shihet si e mjaftueshme për të mbyllur marrëveshjen. Broja ‘shpërtheu’ gjatë sezonit 2021-22 në Premier League me Southampton, duke shënuar 6 gola dhe duke tërhequr vëmendjen me kombinimin e shpejtësisë, fuqisë dhe inteligjencës në zonë.

Me kualifikueset e Botërorit në horizont dhe rolin e tij kyç në kombëtaren shqiptare, Broja është i vendosur të bëjë lëvizjen e duhur këtë verë për të rikthyer karrierën në rrugën e duhur.