Një ditëlindje larg protokollit, por pranë njerëzve. Kështu e festoi Andis Salla , një nga emrat e rinj të kabinetit qeveritar të Edi Ramës, 3 shkurtin e tij të veçantë, mes njerëzve të thjeshtë gjaté një takimi pune në Sulovë, në Bashkinë e Cërrikut ,territor që ai e drejtoi për afro gjashtë vite dhe ku mbetet një figurë mjaft e respektuar nga komuniteti.
Takimi, i cili ishte i fokusuar në çështjet e zhvillimit rural dhe bujqësisë, mori një tjetër ngjyrim emocional kur një grup qytetarësh , por edhe stafi dhe bashkëpunëtorët e surprizuan Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural jo vetëm me urime të përzemërta por edhe me nga një tortë simbolike, të dizenjuar me ngjyrat e frutave dhe perimeve ,identiteti i sektorit që ai drejton sot. Qirinjtë u ndezën jo thjesht për një vit më shumë jetë, por për një rrugëtim tepër të suksesshëm që nga fshati e bashkia, e deri në drejtimin e një prej ministrive kyçe për ekonominë shqiptare.

Ky moment i veçantë dhe i thjeshtë, por mjaft domethënës, pritet të mbetet gjatë në kujtesën e Ministrit Salla. Jo vetëm për surprizën e këndshme , por për faktin se ndodhi aty ku ai ka ndërtuar lidhje të forta njerëzore dhe institucionale. Popullariteti i tij është gjithjë në rritje dhe respekti që ai gëzon në Cërrik dhe në krahinën e Sulovës ,sot shtrihet edhe më gjerë, në mbarë Shqipërinë, ndërsa ministria që ai drejton perceptohet gjithnjë e më pranë fermerëve dhe blegtorëve.
I lindur më 3 shkurt 1988 në Shtërmen të Elbasanit, Andis Salla është formuar në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Në vitin 2014 u kualifikua si avokat pranë Dhomës Kombëtare të Avokatisë, ndërsa karriera e tij nisi si jurist dhe vijoi me drejtimin e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Elbasan, ku fitoi përvojë të rëndësishme menaxheriale në administratë.
Në vitin 2019, ai u zgjodh Kryetar i Bashkisë Cërrik nën siglën e Partisë Socialiste, me një program të përqendruar te investimet infrastrukturore, shërbimet sociale për shtresat në nevojë dhe aktivizimi i fondeve vendore e donatorëve për zhvillimin lokal. Motoja e tij ishte e qartë: “Cërriku duhet të marrë vëmendjen që meriton.”
Në shtator 2025, Kryeministri Edi Rama e prezantoi Andis Sallën si pjesë të kabinetit të ri qeveritar, duke e vlerësuar si një profil që “e ndjen dhe që e ka përzemër fshatin” dhe që ka dëshmuar aftësi për të bërë shumë edhe me mjete modeste. Një filozofi praktike që e katapultoi nga drejtimi i një bashkie të vogël në krye të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Në postin e ri, pritshmëritë janë të qarta. Modernizimi i bujqësisë përmes teknologjisë dhe inovacionit, mbështetja e fermerëve me subvencione dhe akses në fonde europiane, rritja e eksporteve bujqësore dhe zhvillimi rural i qëndrueshëm, për të balancuar qytetin me fshatin.
Fakti që ditëlindja e tij u festua gjatë një takimi pune, në terren, mes njerëzve të fshatit, është ndoshta përshkrimi më i saktë i profilit të Andis Sallës.Një drejtues i qetë, pragmatik dhe i lidhur fort me realitetin rural. Një ministër që vjen nga baza dhe që synon ta kthejë përvojën vendore në politika kombëtare që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e fermerëve shqiptarë.

ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.