Sunday , August 17 2025

ANALIZA/ Sulmi është koloni e huaj, “gjuha e golit” tek Elbasani nuk është shqipja

Te skuadra e Elbasanit këtë sezon, sulmi nuk është vetëm premtues për nga emrat, por edhe për nga larmirshmëria që mbart. Me nëntë sulmues të shteteve të ndryshme, skuadra verdheblu është kthyer në një mini-mozaik ndërkombëtar, ku çdo lojtar sjell jo vetëm stilin e vet të lojës, por edhe gjuhën dhe kulturën nga vendi që përfaqëson.

Kjo përbërje e veçantë është një pasuri për ekipin dhe një sfidë për stafin teknik, veçanërisht për trajnerin Ivan Gvozdenoviç, i cili tashmë duhet të “përkthejë” idetë dhe filozofinë e tij në më shumë se dy apo tre gjuhë. Në fund të fundit, futbolli flitet në gjithë botën, por mënyra si komunikohet në fushë shpesh ndikon drejtpërdrejt në rezultatet.

MOZAIKU I GJUHËVE – Pjesa dërrmuese e grupit përfaqëson një mozaik të vërtetë gjuhësh. Nga Ze Gomesh, që sjell portugalishten dhe eksperiencën evropiane, te Doukouo, Dialo dhe Tsague, të cilët përveç se përfaqësojnë vende afrikane, mund të komunikojnë përmes gjuhës frënge, e përhapur në vendet e tyre. Karim Loukili sjell një element arab nga Maroku, edhe pse me nënshtetësi holandeze dhe një shkollë ndryshe futbolli, ndërsa Ben Shimon përfaqëson futbollin izraelit, që gjithnjë e më shumë po eksporton lojtarë në Europë.

Çdo lojtar është një kapitull më vete, me të kaluarën, përvojën dhe gjuhën e tij dhe kjo përbën një sfidë taktike e psikologjike për trajnerin dhe grupin. Ky grup përfaqëson një pasqyrë të qartë të qasjes së re që po ndjek Elbasani në ndërtimin e skuadrës, ku vëmendja nuk kufizohet më vetëm brenda vendit, por kërkon të sjellë energji të re nga tregje më të gjera.

SHQIPJA NË MINORANCË – Sipas vëzhgimit të bërë nga “Panorama Sport”, Arsen Lleshi është sulmuesi i vetëm shqiptar nga Shqipëria që mban barrën e përfaqësimit vendas në këtë repart. Në fakt ai hyn këtë sezon edhe si golashënuesi më i mirë i ekipit vitin e kaluar me shtatë rrjeta të realizuara. Megjithatë, nuk është i vetmuar sa i takon gjuhës shqipe. Atij i bashkohen edhe Donart Ibraimi nga Maqedonia e Veriut dhe Fatjon Bunjaku nga Kosova, të dy lojtarë që flasin shqip dhe që i japin skuadrës një bërthamë komunikimi më të lehtë dhe më të afërt me ambientin. Kjo treshe jo vetëm që është më e afërt me stafin dhe qytetin, por gjithashtu mund të luajë një rol ndërmjetësues në përshtatjen e lojtarëve të huaj, duke krijuar ura komunikimi në dhomat e zhveshjes dhe në fushë.

GJUHA E GOLIT – Për momentin, është ende herët për të thënë se kush do të jetë zëri kryesor në repartin ofensiv. A do të jetë shqipja e Lleshit, ndoshta me asistencë nga Bunjaku apo Ibraimi? Apo do të jetë ndonjë dialekt afrikan që shpërthen me ritëm dhe fizik, siç pritet nga Dialo, Tsague apo Doukouo me Ze Gomesh. Ndoshta goli do të flasë hebraishten e Ben Shimon që ka aventurën e parë në vendin tonë. Në fund të ditës, Elbasani ka ndërtuar një arsenal të gjerë sulmues, por tani mbetet për t’u parë se cili do ta kthejë këtë mozaik në gola konkretë. Ajo që dihet është se goli merr vlerë në çdo gjuhë të botës dhe në Elbasan e kanë të qartë këtë gjë.

Pavarësisht sfidave të komunikimit dhe harmonisë, Elbasani ka potencial për të përfituar nga kjo larmishmëri. Lojtarë që nuk flasin të njëjtën gjuhë, shpesh flasin të njëjtin futboll, kur ka një filozofi të qartë nga pankina. Dhe për Gvozdenoviçin, kjo është sfida më e madhe: të bëjë që të gjithë këta zëra të ndryshëm të këndojnë në të njëjtën partiturë. Sepse kur vjen goli, ai nuk ka nevojë për përkthim. Ai është gjuha e vetme që kuptohet njësoj nga të gjithë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL