Për një skuadër që sapo është ngjitur nga Kategoria e Parë në Superiore, nuk është asnjëherë e lehtë që të rivalizojë për titullin kampion që në vitin e parë. Mirëpo, për hir të formulës “Final 4” dhe investimeve të mëdha që ekipi i Elbasanit kreu gjatë merkatos së verës, ambiciet e këtij klubi për të qenë mes finalistëve për titull që në edicionin e tyre të parë mes më të mirave, ishin dhe mbetën të mëdha.
“Panorama Sport” i ka bërë një vëzhgim të ecurisë së elbasanasve në këto 13-të javë kampionat, me uljengritjet e saj, ndërsa aktualisht kjo pauzë i gjen në vendin e pestë.
ECURIA – Është shumë e vështirë që në kampionatin shqiptar të gjesh një skuadër që të ketë vazhdimësi dhe pa luhatje, ku përjashtim nuk bën as ekipi i Elbasanit. Verdheblutë e kanë nisur kampionatin me një barazim në Korçë dhe marrin pushimet e shkurtra po pas një barazimi, kësaj here në Laç.
Midis këtyre javëve, dominojnë barazimet, me plot tetë të tilla, duke ndarë rekordin e Tiranën, kundërshtarin e ardhshëm. Sakaq, kanë sigluar tri fitore dhe dy humbje, të dyja përballë Dinamos në “Elbasan Arena”. Nga ajo që vihet re përgjatë këtyre javëve, është se Elbasani nuk ka zbritur asnjëherë në zonën e rrezikut, ku pozicioni më i dobët ka qenë vendi që mban aktualisht, ai i pesti, duke qenë për katër javë në këtë vend. Tre javë rresht verdheblutë kanë qenë në vendin e katërt.
Në vendin e tretë kanë qëndruar gjithashtu për katër javë, ndërsa nga një herë kanë qenë të dytët dhe një herë të parët, pikërisht në javën e katërt, edhe pse nuk e mbanin të vetëm këtë pozicion. Një ecuri që i shkon deri-diku për shtat duke pasur parasysh vështirësitë e një ekipi të ri të sapongjitur në elitë.
PENGJET – Verdheblutë kanë pasur disa herë mundësinë që të ngjiteshin në krye, por janë penalizuar nga barazimet e shumta.
Në disa raste kanë qenë pranë fitores, por herë një penallti e humbur (si ajo ndaj Tiranës) apo goli i anuluar dhe penalltia e mohuar ndaj Partizanit në fund, kanë bërë që të mos dalin me nga tri pikë, por vetëm një. Situata nga të cilat verdheblutë mund të kenë nxjerrë mësime dhe të kenë reflektuar gjatë kësaj pauze, ku për t’u ngjitur në klasifikim dhe çuar përpara objektivin e “Final 4” nuk duhet t’i bëjnë më, por të ndërrojnë sa më parë “marsh”.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL