Për Hetlen Çapjan, Elbasani nuk duhet të ketë pishmane për sezonin që lanë pas, ndërsa ka pritshmëri të mëdha për atë që po troket. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ish-kampioni elbasanas thekson se duhet ndërtuar një ekip me role të dubluara për të synuar trofe, ndërsa eksperiencën e fituar vitin që lamë pas, do të dinë ta vënë në shërbim këtë sezon.
Merkaton e pret që të bëhet në të gjitha repartet, me Gvozdenoviç që e njeh mirë skuadrën për të ditur se çfarë i duhet në afrime. Çapja beson se, me një eksperiencë mbi supe tanimë, do të jetë më e lehtë marrja e rezultatit dhe arritja e synimeve.
Çapja, si ishte sezoni që lamë pas për Elbasanin?
Në vija të përgjithshme, ishte pozitiv, edhe pse ne të gjithë donim të kapte “Final 4”, meqenëse gjërat shkuan deri në javën e fundit. Megjithatë, nuk ka pse të ketë pishmane për atë që nuk u bë, por t’i gëzohen asaj që arritën, duke qenë se ishin debutues.
Si e prisni sezonin e ri?
Pritshmëritë janë të mëdha, sepse të tilla ishin edhe sezonin që lamë pas. Me aq sa e njoh ambientin në Elbasan, besoj se sërish do të pretendojnë për të arritur sa më lart. Me ndryshimin e vetëm që këtë herë të mos dalin pa gjë, po të marrin një trofe ose së paku të shkojnë në Europë.
Çfarë duhet të bëjë për t’ia arritur?
E para është ndërtimi i një skuadre sa më kompetitive dhe rolet të jenë të dubluara. Është shumë e rëndësishme që stoli të jetë në lartësinë e titullarëve. Vetëm ashtu mund të pretendosh, sepse e kemi parë që skuadrat po ndahen shumë “hollë” në një ndeshje dhe një gabim i vogël të heq fitoren nga duart.
Ku i shihni më të rëndësishme ndërhyrjet?
Në të gjitha rolet. Besoj se edhe drejtuesit e kanë të qartë që përforcime duhen gjithandej. Vetëm të mos jenë me shumicë dhe të mos prishet grupi apo ajo harmoni që është krijuar deri më tani në skuadër.
Si e vlerësoni rikonfirmimin e Gvozdenoviç në stol?
Gjëja më e mirë e mundshme që mund të bëhej në këto momente. Unë shoh një “filing” mes tij dhe lojtarëve, por edhe klubit. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse puna ecën më mbarë. Në fund të fundit, puna e një trajneri matet me rezultate dhe Gvozdenoviç i pati. Njëkohësisht, rikonfirmimi i tij i shpejtë i jep më shumë mundësi për të punuar për sezonin që i pret.
Çfarë ka më shumë Elbasani këtë vit se ai që lamë pas?
Eksperiencën. E dimë që në futboll disa ndeshje i fiton me eksperiencë, gjë që Elbasani nuk e pat vitin e kaluar. Këtë sezon do ta ketë dhe besoj se do ta vërë në shërbim për të shkuar te rezultatet.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL