NGA FATMIR POPJA
Këshilli i Qarkut Elbasan organizoi këtë të martë një ceremoni solemne për të nderuar Ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite në Republikën e Shqipërisë, z. Faisal Ghazi Al-Hafthi, duke i akorduar Certifikatën “Mirënjohje e Qarkut Elbasan”, në bazë të vendimit nr. 22, datë 14 janar 2026.
Ceremonia u zhvillua në prani të Kryetares së Këshillit të Qarkut Elbasan, Dr. Ermira Urupi, përfaqësuesve të pushtetit vendor, institucioneve akademike dhe fetare, anëtarëve të këshillave bashkiakë, si dhe të Ambasadorit të Shtetit të Katarit, z. Jaber bin Ali Al-Dosari, përfaqësues diplomatikë dhe personalitete të jetës kulturore e shoqërore.
Në fjalën e saj, Dr. Ermira Urupi vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Ambasadës së Mbretërisë së Arabisë Saudite për komunitetin lokal, duke theksuar veçanërisht ndihmën për fëmijët me aftësi të veçanta, fëmijët jetimë, si dhe kontributin në ndërtimin e urave të dialogut dhe kulturës mes dy popujve.
Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e projekteve të Fondit Saudit për Zhvillim, të cilat po zbatohen në Qarkun e Elbasanit dhe po japin një ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e infrastrukturës dhe mirëqenies së qytetarëve.

Nga ana e tij, Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledjan Llatja, theksoi se ky titull mirënjohjeje nuk përfaqëson vetëm Bashkinë e Elbasanit, por është një vlerësim që shtrihet në të shtatë bashkitë e Qarkut Elbasan.
Ai vuri në dukje vizionin e ambasadorit dhe të gjithë stafit diplomatik saudit për të forcuar miqësinë, bashkëpunimin dhe mirëkuptimin reciprok mes dy vendeve.
Ky nderim iu akordua Ambasadorit Al-Hafthi në shenjë vlerësimi për rolin e tij human dhe diplomatik, për promovimin e dialogut, tolerancës dhe bashkëjetesës, si dhe për mbështetjen e zhvillimit shoqëror në nivel lokal dhe nxitjen e shkëmbimeve kulturore.
Duke falënderuar për këtë vlerësim, Ambasadori Faisal Ghazi Al-Hafthi u shpreh se mirënjohja nuk është vetëm personale, por një dëshmi e marrëdhënieve të forta të miqësisë dhe bashkëpunimit mes Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Shqipërisë.
Ai theksoi rëndësinë e dialogut kulturor dhe ndërfetar si themel për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Në përmbyllje, Këshilli i Qarkut Elbasan theksoi se ky vlerësim pasqyron angazhimin institucional për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të çmuar kontributet diplomatike që ndërtojnë ura mirëkuptimi, solidariteti dhe miqësie mes popujve.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.