Delegacionet e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut që do të marrin pjesë në takimin e Ballkanit të Hapur në Shqipëri, mbërrijnë sot pasdite në Tiranë. Sipas agjendës së publikuar të takimit, kryeministri Edi Rama ka ftuar Aleksandar Vuçiç dhe Zoran Zaev për darkë te “Fish City” i Gjergj Lucës në Elbasan, restoranti i peshkut ku u organizua edhe mbledhja e fundit mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës.
Në tavolinën kryesore, sipas listës së publikuar në agjendën zyrtare, do të jenë Rama, Vuçiç dhe Zaev, si dhe ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, ajo e Bujqësisë, Frida Krifca, ministri serb i Bujqësisë, Branislav Nedimović, ministri serb i Financave, Siniša Mali, ministri i Financave të Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovacevski, dhe ministri i Bujqësisë së Maqedonisë së Veriut, Trajan Dimkovski.
Në darkë do të jenë të pranishëm gjithashtu krerët e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, Ines Muçostepa, Marko Cadez dhe Antoni Peshev. Gjithashtu do të jetë i pranishëm edhe Alex Soros, nënpresidenti i Fondacionit Shoqëria e Hapur. Kujtojmë se opozita ka akuzuar se pas marrëveshjes “serbomadhe” të Ballkanit të Hapur qëndron Soros.