Alarmi i emigrimit të të rinjve, Boçi: Në Elbasan ka të paktën 6 agjensi udhëtimi që nisin njerëz rregullisht në Evropë

Nga Luçiano Boçi

I shohin çdo ditë kur ikin dhe mbyllin sytë përpara dramës sociale që po ndodh…

Në Elbasan ka të paktën 6 agjensi udhëtimi që nisin njerëz rregullisht për në Gjermani, Itali dhe destinacione të tjera europiane. Mesatarisht një autobuz me 50 persona ikën çdo ditë nga Elbasani, ndërsa nisjet janë të grupuara. Të paktën dy autobuzë në ditë nisen për në Greqi. Mosha mesatare e atyre që ikin është 35 vjeç.

Vendin e këtyre njerëzve gradualisht po e zënë punëmarrësit nga vende shumë të largëta dhe të panjohura, që agjensitë e udhëtimit i shesin si destinacione ekzotike.

Në sheshet e fabrikave, në mjedise krejt periferike, në kushtet e kampeve të punës – këta njerëz vijnë me etjen për të ikur sa më parë, me një dritë në sy që të flet për ëndrrën e tyre europiane në një vend që kanë çdo arsye të nisin ta urrejnë përpara se ta njohin.

Nëse Elbasani do të kishte një qeveri, administratorët e bashkisë të paktën një herë në jetë do të shkonin aty ku nisen autobuzët e emigrantëve vendas për të folur me ata që po ikin. T’i kishin pyetur “pse po ikni?”, “me kë folët përpara se të niseshit?”, “a do të ktheheni?”.

E vetmja ndërhyrje e përfaqësuesve politikë në fakt është presioni ndaj familjarëve të këtyre fatkeqëve, që detyrohen të kthehen për të votuar pushtetin e atyre që i dëbuan nga shtëpitë.

Shqipëria mund të ishte një treg i hapur dhe një fuqi industriale; por në kushtet e një bujqësie primitive, të një industrie inekzistente, të një turizmi fillestar, të një ekonomie të bukës së gojës – të sjellësh të uritur të rinj në një fshat që po vdes nga uria, është cinike.