Aksioni i RENEA-s si në filma, misteri pas denoncimit të së resë në Astir, ç’ndodhi në banesën e marrë me qira

Telefonata e një vajze 20 vjeçare në polici mesditën e sotme se ishte dhunuar nga disa persona ka alarmuar policinë e cila blindoi  këtë pallat zonën e Astirit në Tiranë.

Në kushte të rënduara psikologjike, vajza ka kërcënuar se do të hidhej nga kati i 8 i banesës dhe pasi negociatat dështuan, efektivët u detyruan të ndërhynin nga dritarja.

Pasi u futën brenda, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, gjetën vajzën e vetme në banesë, ambient i cili dyshohet se ishte marrë me qira nga i dashuri i saj.

Nga kontrollet në apartamentet e tjera në këtë pallat, policia ka konfirmuar se janë gjetur dy armë zjarri në një banesë tjetër, e cila po ashtu dyshohet se ishte marrë me qira nga i njëjti person.

Aktualisht e reja me iniciale S.Q, ndodhet nën asistencën e stafit mjekësor ku pritet të merret ne pyetje për të zbuluare se kush ishin personat që ajo ka pretenduar se e kanë dhunuar.

Ndërkohë policia thotë se nga këqyrja paraprake, në trupin e vajzës nuk janë konstatuar shenja dhune të dukshme.

Ende nuk dihet nëse në ngjarje janë një apo më shumë persona të përfshirë, ndërsa policia po heton për identifikimin e poseduesit të armëve.

Top Channel