Një aksident i rëndë ka ndodhur këtë të shtunë në rrugën e Talës në Lezhë, ku kanë ndërruar jetë Kristjan Magjuni dhe e fejuara e vëllait të tij, Atjola Ademi vetëm 16 vjeç.
Makina tip “Pegeot” me të cilën po lëviznin, ku drejtues ishte 24-vjeçari ka humbur kontrollin duke u përplasur me murin ndarës të një shtëpie.
Përplasja ka qenë fatale, bazuar edhe në pamjet e dërguara nga korrespondentja e Lezhës, Brixhilda Deda, ku pjesa e xhamit të përparmë është bërë copash bashkë me anën e majtë të makinës.
Vendi ynë u trondit nga ky aksident tragjik, në ditën më të rëndësishme të besimtarëve të krishterë, Krishtlindjen, e cila ishte e fundit për të rinjtë.
Ata ishin nisur drejt Talës, ku edhe familja e djalit banonte, për të festuar, gjë e cila nuk ndodhi. Ata nuk shkuan kurrë, ndërsa prindërit po i prisnin me tavolinën shtruar e sytë nga dera.
“Në rrugën e Talës, Lezhë, automjeti tip “Pegeot ” me drejtues shtetasin K.M., 24 vjeç ka dalë nga rruga, ku si pasojë ka humbur jetën drejtuesi i mjetit dhe pasagjerja në automjet shtetasja A.A”, sipas njoftimit të policisë.