Thursday , August 28 2025

Aksident me dy të plagosur në Elbasan, procedohet penalisht shoferi

Një aksident ka ndodhur në aksin rrugor “Elbasan-Librazhd”, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe për pasojë, kanë mbetur të lënduar drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri që ndodhej me të.

Të dy fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.

Policia thotë se ka nisur procedimin penal ndaj drejtuesit të automjetit, 49-vjeçarit A.Th.

“Specialistët e Qarkullimit Rrugor: referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. Th., 49 vjeç, pasi mbrëmjen e djeshme, në aksin rrugor ‘Elbasan-Librazhd’, në fshatin Labinot, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti janë dëmtuar 49-vjeçari dhe pasagjeri në automjet, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.”, thuhet në njoftimin e uniformave blu.

Policia Rrugore bën thirrje për respektim të rregullave të qarkullimit, duke theksuar se do të vijojë kontrollet intensive në të gjitha akset rrugore të vendit./tvklan.al