Elbasani shpreson ta lërë sa më shpejt pas atë humbje me Dinamon, që i hoqi mundësinë të afrohej më shumë me 4-shen e parë.
Për këtë arsye verdheblutë po përgatiten për të rigjetur fitoren në përballjes e fundjavës me Laçin në “Elbasan Arena”. Për ekipin e trajnerit Ivan Gvozdenoviç është i ndaluar çdo hap fals, sepse në të kundërt do të ketë rrezik edhe nga poshtë. Kurbinasit, të cilët për momentin janë në zonën e “Play-out”-it, janë 8 pikë larg dhe një gabim ndaj tyre mund ta vërë në siklet Elbasanin.
Nga ana tjetër, një fitore e mundshme do të krijonte një distancë sigurie për elbasanasit, të cilët pastaj do të mendonin të qetë vetëm për të arritur diçka në pjesën lart të klasifikimit. Në këto kushte, ndeshja me Laçin shihet si tepër e rëndësishme në kampin verdheblu dhe duhet fituar patjetër.
PORTIERI NË KRIZË – Në shumë ndeshje Elbasani është mundur për shkak të gabimeve të veta, siç ndodhi edhe së fundi me Dinamon, ku dy gola u dhuruan për kundërshtarin. Por ajo që vihet re në sfidat e fundit është rënia e formës së atij që deri para pak javësh konsiderohej nga të gjithë si pika më e fortë e Elbasanit. Bëhet fjalë për portierin Razak Abalora. Në kohën kur skuadra drejtohej nga italiani Roberto Bordin, kamerunasi po kalonte një formë të shkëlqyer dhe kishte meritën kryesore që mbante rrjetën të paprekur.
Mirëpo në javët e fundit 29- vjeçari ka humbur shumë nga shkëlqimi i tij dhe nuk kanë munguar gabimet, apo edhe gafat e tij, që i kanë kushtuar në fund skuadrës edhe humbjen. Rasti më i fundit ishte goli i parë i Dinamos, ku një harkim pa shumë pretendime në zonë nuk u grushtua si duhet nga portieri dhe më pas u shkaktua autogol nga Lulaj. Edhe në sfidat e kaluara Abalora ka treguar pasiguri, ku mjafton të thuhet se që nga ndeshja e kaluar me Dinamon, kur pësoi 5 gola dhe deri te përballja e fundit me blutë, ku pësoi 3 gola, vetëm në një rast ka mbajtur portën të paprekur, në fitoren 0-2 në Korçë.
Një rënie drastike e tij dhe sipas të gjitha gjasave, këtë fundjavë mund të përfundojë në stol, edhe pse deri dje nuk ishte vënë asnjëherë në diskutim pozicioni i tij. Përpara se të mbërrinte Abalora në Elbasan, portën e ka mbrojtur Klevi Totoshi, titullar vitin e kaluar në Kategorinë e Parë. Këtë sezon ai e nisi si numri 1 i portës verdheblu, por klubi hyri në merkato dhe afroi afrikanin, i cili që nga koha e mbërritjes ka luajtur në të gjitha ndeshjet nga minuta e parë.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL