A do të prishet godina e bashkisë Elbasan dhe do të ndërtohet një pallat?

Prej kohësh në qytetin e Elbasanit kanë qarkulluar fjalë se godina aktuale e Bashkisë Elbasan do të shembet dhe në vend të saj do të ndërtohet një një pallat shumëkatësh dhe një pjesë e tij do të shërbejë për zyrat e bashkisë. Por më në fund bashkia Elbasan ka reaguar në lidhje me këto fjalë nëpërmjet faqes së saj zyrtare në facebook.

Reagimi i plotë:

Në përgjigje të akuzave për shembjen e Bashkisë së Elbasanit, ndjejmë detyrimin për të sqaruar qytetarët. Të dashur qytetarë, godina e Bashkisë, godina e shërbimit ndaj qytetarit, e pritjes dhe e kujdesit ndaj qytetarëve nuk do të shembet. Me keqardhje vërejmë një lumë akuzash dhe shpifjesh të pabaza, por jo vetëm kaq, edhe dashakeqe.

Me vendim nr. 14 datë 13.01.2009, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë ka miratuar ndryshimin e studimit urbanistik të qendrës së qytetit të Elbasanit. Ky vendim është miratuar nga nga KRYEMINISTRI dhe KRYETARI I KRRTRSH-së asaj kohe SALI BERISHA. (dokumenti bashkëngjitur.)

Me këtë vendim konfirmohet me disa ndryshime Plani Rregullues i qytetit të Elbasanit i miratuar me vendim nr. 01 datë 18.12.2004. Në studimin urbanistik të qendrës së qytetit të Elbasanit është parashikuar edhe RIKONSTRUKSIONI i godinës aktuale të bashkisë dhe zgjerimi i saj për shkak të nevojave për më shumë ambiente.

(Theksojmë se sot zyrat e bashkisë dhe ndërmarrjeve vartëse të saj janë të shpërndara në disa godina, duke krijuar konfuzion dhe humbje kohe për qytetarët. Kështu, Qendra Ekonomike dhe e Arsimit ndodhet në lagjen “Aqif Pasha”, Drejtoria e tatim Taksave dhe Drejtoria e Transportit në një godinë private në lagjen “Brigadata 17 Sulmuese”; Drejtoria e Arsimit Parashkollor dhe Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve tek shkolla e muzikës,

Agjencia e Shërbimeve Publike lagja “Shën Koll”etj. Nisur nga kjo procedurat e për zgjerimin e ambienteve të bashkisë datojnë që në vitin 2004 (dokumenti bashkëngjitur.)

Projekti parashikon zgjerimin e sipërfaqes ekzistuese (1400 m2) me 5200 m2 sipërfaqe shtesë. Ndryshime do të pësojë vetëm pjesa perëndimore e godinës së bashkisë e cila merr një formë rrethore. Që në atë kohë (viti 2004) është vlerësuar të ruhet godina e dikurshme e cila daton aty rreth viteve ’60 dhe për shumë kohë ka shërbyer si Banka e Kursimeve(një pjesë e saj).

Vlera historike e këtij objekti mbetet e pazëvendësueshme për qytetin. Projekti i asaj kohe (viti 2009)ka përcaktuar godinën e bashkisë me 7 kate (harta bashkëngjitur) dhe i gjithë objekti do të shërbejë për zyra.

Në po këtë zonë me vendim nr. 14 datë 13.01.2009 KRYETARI I KRRTRSH-së asaj kohe SALI BERISHA ka firmosur edhe zhvillimin e mëtejshëm të zonës me ndërtime objektesh banimi dhe biznes 10 dhe 14 katëshe.

Por këto objekte nuk kanë lidhje me godinën e bashkisë e cila as nuk cënohet, as nuk ka të bëjë me to. Në mënyrë kategorike në godinën e bashkisë nuk është parashikuar të ketë apartamente apo biznese.

Ky plan rregullues i firmosur nga Z. BERISHA, pa asnjë ndryshim është duke u zbatuar sot. Sa më sipër, gjatë kohës së punimeve, qyterarët do të lajmërohen rregullisht për vendndodhjen provizore të zyrave të bashkisë dhe shërbimi do të ofrohet në çdo kohë pa asnjë ndryshim.