A do të mbyllet vendi dhe çfarë pritet të ndodhë me shkollat dhe kopshtet, flet eksperti i Komitetit Teknik

Andi Koraqi është dhe pjesë e Komitetit Teknik të Ekspertëve në vendin tonë dhe thotë se, për momentin nuk do të kemi kufizime të mëdha, edhe pse u regjistrua sot një shifër rekord të infektuarish, 489. Shefi i laboratorit mikrobiologjik në QSUT Andi Koraqi  shton që pritet një rritje akoma më shumë në muajt në vazhdim.

“Rritja është e pritshme edhe përsa i përket sezonit për faktin që sezoni i vjeshtës dhe i dimrit shoqërohen dhe me rritje të virozave respiratore stinore. Mendoj që do të ketë një rritje akoma  më shumë në ditët, javët dhe muajt në vazhdim”- u shpreh Andi Koraqi për report tv .

Ai tha se shkollat e ciklit parauniversitar mund të mbyllen.

“Nëse do të kemi shtim akoma dhe më të madhe të rasteve mund të rishikohen dhe masat e tjera, shkollat e kështu me radhë varet nga parametrat dhe parametri më i rëndësishëm është ezaurimi i kapaciteteve spitalore që për momentin nuk është se vihet re. Mendoj që nuk do të ketë kufizime të mëdhëja për momentin”- u shpreh profesor Koraqi.

Sipas tij, është e domosdoshme përdorimi i testeve të shpejta.

“Sigurisht është e domosdoshme fillimi i përdorimit të testeve të shpejta. Ka një dallim testet e shpejta për të përcaktuar antigenin. Ato që bëhen me real time “pcr” mund të bëhen dhe me teste të shpejta duke dedektuar në mënyrë të drejtpërdrejtë antigenet”- tha Andi Koraqi.

Vetëm një javë më parë për shkak të numrit të lartë të shtrimeve në spitale, lindi nevoja për hapjen e spitalit COVID 3. Aktualisht në spitalet tonë janë 350 pacientë të shtruar me Covid.