Akt solidariteti i vogëlushes Elma Spaho. Frymëzim për një angazhim më të madh në detyrën njerëzore.

Një akt solidariteti ka shkëlqyer në këto ditë festash të fundvitit, kur Elma Spaho, një donatore me zemër të madhe, ka ndihmuar një fëmijë në nevojë me një shërbim terapeutik falas.
Me një synim të thjeshtë për të ndihmuar, Elma ka treguar se ndryshimi mund të vijë nga veprimet e vogla me dashuri.

Drejtuesja e “Qendrës Shqiptare për Integrimin e Njerëzve me Nevoja të Veçanta” znj. Fatma Spahiu në një postim në faqen e saj të facebook e ka përshkruar kështu këtë gjest të mrekullueshëm:
“Ta shohësh botën me sytë e një fëmije është gjëja më e mirë që duhet të bëjë çdo i rritur.
Të kontribuosh sadopak në ndihmë të fëmijëve me aftësi ndryshe nuk kërkon domosdoshmërisht të jesh i pasur nga ana monetare, por i pasur në shpirt.


Donatorja më e vogël e qendrës për vitin 2023 ishte ëmbëlsira Elma Spaho, e cila me të ardhurat e mbledhura nga shitjet e punimeve fantastike të bëra nga duart e vogla me shumë dashuri, siguroi ofrimin e një shërbimi terapeutik falas për një nga fëmijët e qendrës. Dhe përzgjedhjen Elma e mençur e bëri në mënyrë krejt rastësore në festën e fundvitit me fëmijët.
Jam shumë e lumtur që Elma do të jetë një ogur i mbare për 2024.”

Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe!/Nene Tereza/

Shpresojmë që “donatorja e vogël” të frymëzojë të tjerët për një angazhim më të madh në detyrën njerëzore.