Gjuha rome, këtë vit mësimor, do të jetë pjesë e programit mësimor për fëmijët e këtij komuniteti në dy shkolla 9-vjeçare në qytetin e Elbasanit.
Tashmë, në abetaren e tyre, fëmijët romë do të mësojnë të shkruajnë dhe lexojnë gjuhën e tyre nëpërmjet një mësuesi të posaçëm për to. Ky i fundit tregon për A2 CNN se si është pritur kjo nismë e zyrës vendore të arsimit në Elbasan dhe në cilën klasë do të nisin ta mësojnë gjuhën rome.
“Prindërit romë janë të kënaqur dhe e kanë mirëpritur këtë nismë. Është shumë gjë e mirë që fëmijët romë të mësojnë të shkruajnë gjuhën e nënës. Kjo gjuhë nuk duhet të humbasë. Është menduar që gjuha rome të nisë nga klasat e treta e deri në klasat e nënta”, shpjegon Raxhi Rakipi, mësues i gjuhës rome.
Në qytetin e Elbasanit, janë 250 nxënës romë që do të kenë mësues të zhvillojnë orë të veçanta për mësimin e gjuhës rome. Në varësi të rezultateve që do të japë kjo nismë në këto dy shkolla, do të shikohet mundësia e shtrirjes dhe në shkolla të tjera jo vetëm të Elbasanit, por në të gjithë vendin./a2news/