Qeveria franceze i mbijetoi shumë ngushtësisht mocionit të mosbesimit në parlament, mekanizmi i të cilit u aktivizua në momentin që ajo imponoi rritjen e moshës së pensionit në 64 vjeç duke anashkaluar Kuvendin.
Votimi, i paraqitur nga deputetët e qendrës, u mbështet nga 278 vota pro, një prag ky më i ulët se 287 votat e nevojshme për kalimin e tij. Nëse nisma do të rezultonte e suksesshme, presidentit Emmanuel Macron do t’i duhej të caktonte një ekzekutiv të ri ose të shpallte zgjedhjet e parakohshme, çka do të anulonte edhe reformën e pensioneve.
Edhe një mocion i dytë mosbesimi, i paraqitur nga partia e ekstremit të djathtë të fronit Nacional i Marine Le Pen, pati të njëjtin fat si i pari. Me dështimin e të dy mocioneve, projektligji i shumëdiskutuar i rritjes së moshës së pensionit nga 62 në 64 vjeç, tanimë, do të bëhet ligj.
Votimet në parlament i mbajtën pasi kryeministrja Elisabeth Borne përdori një fuqi të veçantë kushtetuese, të quajtur Neni 49:3, për të aprovuar projektligjin pa e kaluar atë në Asamblenë Kombëtare. Lëvizja e saj shkaktoi protesta të dhunshme javën e kaluar, përleshje të tubuesve me policinë, bllokime rrugësh e djegie të koshave të mbeturinave në qendër të Parisit, e në qytete të tjera anembanë vendit.
Me indinjatë popullore u prit edhe dështimi i mocioneve të mosbesimit, që nxiti sërish protesta anti-qeveritare në kryeqytet ku të paktën 100 persona përfunduan në pranga pas përplasjeve me forcat e rendit.
Top Channel