Deklaratë e UGSh/ Dhuna verbale dhe fizike mbi reporterin dhe operatorin janë tronditëse.

Dhuna verbale dhe fizike e noteres Lleshi mbi reporterin dhe operatorin e emisionit “Stop” janë tronditëse

Tiranë më 17.02.2022

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë është i tronditur nga imazhet e publikuara nga emisioni investigativ Stop në TV Klan, ditën e mërkurë më 16.02.2022.

Incidenti i noteres Majlinda Lleshi me reporterin Genci Angjellari dhe operatorin Gert Hoxha të emisionit investigativ, përbën një akt të pastër dhune dhe agresiviteti ndaj gazetarëve në detyrë. Sekuencat e transmetuara nga emisioni janë tronditëse dhe meritojnë reagime të menjëhershme institucionale. Lëndimi i operatorit dhe gjuha fyese e kërcënuese e noteres ndaj reporterit janë shprehje e një agresioni mbi integritetin fizik të gazetarit në të drejtën e vet për të marrë përgjigje për fakte dhe dokumentacion që lidhen me detyrën e noteres.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e dënon ashpër këtë agresion të noteres. Kërkon reagim të menjëhershëm nga organet ligjzbatuese dhe Dhoma e Noterëve.

Agresioni verbal dhe fizik i noteres ndaj reporterit dhe sjellja e saj me klienten qytetare përbëjnë  imazhin më të keq të përftuar nga mjedisi problematik i noterisë në përgjithësi.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë është në pritje të reagimit dhe procesit hetimor ndaj rastit, duke shprehur solidaritetin e plotë me kolegët në detyrë. Inkurajojmë fuqimisht reporterët investigativë dhe redaksitë e raportimit të thelluar për të guxuar e këmbëngulur përherë, në zbardhjen dhe ekspozimin e të vërtetave që lidhen me interesin publik dhe atë ligjor.

Zyra Informuese

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë