Qeveria shqiptare vendosi pezullimin e mësimit për 3 ditë në të gjitha shkollat e vendit, nga data 24-26 janar, për shkak të motit të ftohtë. Ministria e Arsimit njofton se njëri nga prindërit mund të qëndrojë në shtëpi me fëmijët gjatë kësaj kohe që ata nuk do të frekuentojnë shkollat.
Ministria bën me dije se me vendimin e ri të Këshillit të Ministrave njëri nga prindërit me fëmijë të mitur lejohet të qëndrojë në shtëpi pa pasoja administrative dhe financiare.
“Nisur nga vendimi i fundit për ndërprerjen e procesit mësimor nga data 24 – 26 janar për shkak të kushteve të vështira atmosferike, nisur edhe nga eksperiencat e mëparshme ku me vendim të Këshillit të Ministrave njëri nga prindërit me fëmijë të mitur lejohet të qëndrojë në shtëpi pa pasoja administrative dhe financiare, i njëjti vendim do të aplikohet përsëri edhe gjatë javës së ardhshme”, njofton ministria./albeu.com/