Një histori e rëndë është trajtuar sot në emisionin “Me zemër të hapur”. Një 32-vjeçare, nënë e një fëmijë 11-vjeç me provleme shëndetësore ka rrëfyer kalvarin e gjatë të vuajtjeve.
Në moshën 15-vjeçare u njoh me një burrë i cili i vodhi zemrën aq sa la familjen dhe gjithçka dhe nisi të jetojë me të. Por e ardhmja do të sillte të papritura të hidhura.
Pak muaj më vonë ajo zbulon se i dashuri i saj kishte një partnere tjetër me të cilën kishte sjellë në jetë 2 fëmijë. E pavarësisht kësaj ajo nuk rreshti së dashuri njeriun e saj të jetës. Nga dashuria e tyre lindi një fëmijë i cili nga babai mori vetëm mbiemrin dhe atësinë, por asnjë mbështetje tjetër. Kur fëmija ishte 3 vjeç babai i tij udhëtoi jashtë Shqipërisë duke mos e kthyer kokën pas.
“Kam qenë 15 vjeç kur u njohëm. Më njohën kushërinjtë e babait tim më thanë është beqar. Nisi si një histori dashurie. Pas dy vjetësh e pak muaj zbulova që ai kishte një lidhje tjetër sepse i erdhi gruaja e tij në shtëpinë ku jetoja me qira. Ika pa pëlqimin e prindërve sepse isha 15 vjeç. Në moshën 17 vjeç kam ikur nga shtëpia sepse babai im më shante. Ika me të pavarësisht se e dija se kishte grua tjetër sepse e dashuroja. Ai vinte jetonte me mua 3 ose 4 orë e pastaj ikte. Më la shtatzënë, por edhe gruaja e tij ngeli shtatzënë dhe lindi fëmijën e tretë. Më tha kaq kishim bashkë vazhdo jetën tënde sepse unë do rri me gruan e parë. Nuk më tha që gruaja e tij lindi fëmijën e tretë. E mora vesh nga një komshije që e kishte e parë në maternitet. Për fëmijën tim më tha abortoje, por unë nuk pranova.
Kur unë kam hapur gjyq për djalin ajo më ka thënë tërhiqi letrat se do t’i them unë të të jap prokurë për djalin.
Këtë gjë nuk e kam kuptuar asnjëherë, si e ruante raportin me bashkëshorten. Mbas 2 viteve e mësova që ishte i martuar dhe kishte fëmijë, nuk e lashë pasi nuk përplasesha dot te familja ime. Nuk e lashë se ai vinte natën dhe bënte llafe me babin tim këtë nuk e duroja dot. Unë doja të hiqja dorë. Ai ndenji 2-3 ditë pa më takuar dhe aty e mora vesh që ishte në maternitet dhe u bë me fëmijën e tretë”, rrëfeu ajo.
Edhe fqinja e saj konfirmoi se ajo është kërcënuar dhe shantazhuar.
“Ai e ka kërcënuar dhe shantazhuar. E gjeti familje të varfër dhe e shtypte me këmbë. Edhe unë e kam fshehur në shtëpi kur ai vinte e shantazhonte”, tha fqinja në një lidhje telefonike.
Vëllai i bashkëjetuesit fajësoi 32-vjeçaren për lidhjen e krijuar, teksa deklaroi se nuk ka asnjë kontakt me vëllain e tij.
“Faji është i saj që shkonte me burrë të martuar. Pse i pëlqeu burri. Unë nuk e dija, e mora vesh kur ajo ishte shtatzënë dhe jam zënë me të. Unë kam 6 vite pa folur me vëllain sepse ai nuk kujdeset për asnjë. As për nënë as për baba. Edhe unë vetë jam i ndarë kam fëmijë për të rritur”, tha vëllai.