Dy ton ilaçe kontrabandë janë sekuestruar mëngjesin e sotëm në Portin e Durrësit. Mësohet se policia ka arrestuar Age Bibën 56 vjeçe ndërsa ka shpallur në kërkim Alfred Përlekën. Burime bëjnë me dije se vlera e ilaçeve kap shifrën prej 119 mijë euro.
Ilaçet kontrabandë u kapën në një mjet me targë ‘AA 249 NN’. Sasia e medikamenteve prej 1950 kg ose 8793 kuti nuk dispononin dokumentacionin përkatës për importimin e tyre në territorin shqiptar.
Mësohet se ilaçet ishin ngarkuar në një depo për grumbullimin e ndihmave humanitare në Firence të Italisë. Medikamentet janë sjellë në Shqipëri me pretendimin se janë ndihma humanitare për një shoqatë në Lezhë.
Vlera e detyrimeve doganore të shmanguara për mallrat e përshkruara më sipër kap shumën 2.979,455 lekë, ndërsa penaliteti për vlerën e detyrimeve të shmangura është në shumën 8.938,365 lekë. Në total, shuma e detyrimeve doganore dhe penaliteteve të shmangura është 11.917,820 lekë.
Policia ka arrestuar në flagrancë për veprën penale “Kontrabandë me mallra të licencuara” Age Bibën, 56 vjeçe, punonjëse sociale në një institucion privat në Itali.
Autoritetet kanë shpallur në kërkim 33-vjeçarin Alfred Përleka, me detyrë shef i Shërbimeve pranë Njesisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Lezhë.