Intervista/ Natasha Poroçani, një rrëfim mbi letërsinë për fëmijë dhe botimin e saj të fundit

Në mjediset e librarisë Albas u zhvillua promovimi i librit që përmbylli serinë Bëmat e Estes dhe Kokosë, të autores Natasha Poroçani (Shuteriqi), Ditari i Estes.

E konceptuar si një kolanë në qendër të së cilës është vendosur jeta e përditshme e tri fëmijëve, në kontekstin e një familjeje ku dashuria, mirëkuptimi, problematikat përshkohen nga humori i këndshëm e spontan, plot inteligjencë i vogëlushëve, kolana ka njohur lexime të gjëra dhe cilësore që nga lindja e saj në vitin 2018.

Libraria e mbushur me fëmijë e prindër, pyetjet e bukura që kërshëronin vijimësinë e jetës së personazheve, padurimi për ta patur në duar të plotë kolanën, tregonin se “Bëmat e Estes dhe Kokosë”, tashmë është kthyer në një instrument shumë të dashur dhe të gjetur për të drejtuar fëmijët në udhën e bukur të leximit.

Në një intervistë me shkrimtaren e librave për fëmijë Natasha Poroçani na ka rrëfyer ndër të tjera burimin e frymëzimit për të shkruar për fëmijët; sfidat me të cilat po përballet letërsia ditët e sotme dhe këshillat për lexuesit; ndërsa ndalet edhe tek  kolana “Bëmat e Estes dhe Kokosë” , Poroçani na ka treguar më shumë detaje rreth këtij vëllimi dhe na zbulon nëse ka diçka tjetër ndër duar.

Intervista e plotë:

Si ka filluar e gjitha kjo, pra nga buron dëshira juaj për të shkruar?

Mendoj që janë dy përgjigje brenda kësaj pyetjeje, të cilat duhen dalluar nga orientimi i zhanrit letrar që një autor zgjedh të lëvrojë: të shkruash dhe të shkruash për fëmijë. Unë kam zgjedhur të dytën, besoj më të vështirën.

Nuk di të them saktësisht se nga e ka zanafillën, por them me bindje se të shkruaj për fëmijë është gjëja që di të bëj më mirë. Mbase brenda secilit prej nesh ka një fëmijë që heshton në cep të mendimeve apo shpirtit. Dikush përpiqet ta nënshtrojë, ta bëjë të padukshëm, dikush tjetër (këtu mund të jem unë padyshim), i jep zë, i jep fytyrë, i jep edhe fizionomi, ndonjëherë të shumëfishtë.

Mua më pëlqen të shkruaj për fëmijë. Ka qenë një udhëtim i bukur, por shumë i vështirë. Sepse po konkuron me syrin më të paqtë e më të padjallëuar në botë: me syrin e fëmijës. Dhe të shohësh e gjykosh botën nga vëmendja e një fëmije, është  konkurencë e vështirë. Më tej akoma, të duhet të përdorësh ligjërimin e tyre, i cili shpeshherë është një prag që të pengon, të thotë: stop, prit, unë këtë fjalë e kam të panjohur, të papërdorshme. Atëherë, je ti që duhet të marrësh frymë dhe në shportën e madhe të shqipes, të gjesh atë kumt që i cilëson më mirë të vegjlit.

Çfarë e bën të veçantë kolanën “Bëmat e Estes dhe Kokosë”?

Kolanën të veçantë e bën e vërteta. Kujtoj ekzaktësisht momentin kur bëra paktin me veten: nëse ngjarjet e tri fëmijëve do t`i hedh në një libër (aso kohe nuk e dija se do të ishin 4 të tillë), duhet ta bëj këtë gjë vetëm me vërtetësi. Kisha përvojë në këtë domosdoshmëri. Fëmijët e mi ishin rritur duke ua respektuar marrëdhënien e së vërtetës vetëm në një mënyrë: duke mos gënjyer. Sepse të vegjëlit nuk e durojnë dot moralin didaktik të thatë e patetik. Atyre u pëlqen shumë e vërteta, edhe kur është e hidhur kanë mënyrën e tyre se si e pranojnë atë. Ndaj kolana është arkitektura e së vërtetës së një familjeje e cila impenjon gjithë kohën e potencialet e veta, për të arritur të rrisë tri fëmijë mbi baza të shëndosha.

Padyshim më pas është humori. Të vegjëlit e duan shumë të qeshurën. Nuk u pëlqen të jenë seriozë, sepse ende s`kanë nisur të mendojnë dhe të kuptojnë trazirat e  botës. Ndaj çdo tregim ka shumë humor dhe pak seriozitet.

Së fundmi keni ardhur pranë lexuesve të vegjël me librin e fundit që mbyll kolanën e “Bëmat e Estes dhe Kokosë”. Na tregoni diçka më tepër rreth këtij libri. Ndonjë sekret që doni ta ndani me lexuesit.

Sekreti është bërthama e tij. Në qendër sikurse thashë janë tri fëmijë, tri karaktere të ndryshme, të cilat përtej të qenurit personazhe të një kolane, janë tri fëmijë të vërtetë që gjallojnë e formohen në mjedise krejtësisht të ngjashme me ato të librave. Janë tri të afërmit e mi që më kanë ndihmuar të shkruaj këtë kolanë, nëpërmjet përditshmërisë së tyre. Ata jetojnë pranë meje dhe unë kam vjelë jetët e tyre. Një bllok i vogël i kaltër rrinte gjithmoë hapur. Kam shkruar çdo fjalë të thënë me mendje e pa mendje, kam fiksur trazirat e tyre, kam parë se si rriteshin çdo ditë mes dashurisë, kam projektuar marrëdhënien që prindërit krijonin me ta dhe e kam hedhur ashtu, të vërtetë në librat e mi. Madje edhe emrat e tyre janë pothuajse si realët: Kokoja është Nikol, Este është Estefania dhe Ale është Aleksandri. Ata janë tri fëmijë që ashtu si personazhet janë rritur mes gjërave të bukura e ndonjëherë të trishta. Kanë mësuar të mendojnë, të gjykojnë e të thonë vetëm të vërtetën.

Kolana e Estes ështe përfshirë nga MASR si literaturë e rekomanduar për nxënësit e shkollave 9- vjeçare. Çfarë keshille keni për mësuesit? Sa rol kanë ata për të nxitur te fëmijët dashurinë për librin?

Do më lejoni që këtu të thërras në ndihmë një nga pedagogët dhe mësimdhënësit më të suksesshëm të letërsisë në shkollë, Daniel Penak. Sipas Penak, folja lexo nuk e duron mënyrën urdhërore. Pra, roli i mësuesit nuk është më pak vendimtar se roli i familjes. Mësuesi nuk duhet të urdhërojë të lexojnë libra. Mësuesi duhet të lexojë vetë libra pra fëmijëve, njësoj siç ka bërë Penak për vite të tëra para nxënësve të tij. Kështu u edukoi atyre dëshirën për të lexuar. Një mësues që lexon vetë, me siguri që do t`i gjejë të gjitha rrugët për ta nisur nxënësin e tij drejt të lexuarit. Unë jam shumë e lumtur që kolana do të shkojë në shkolla. Kjo do të thotë që po përmbush destinacionin e saj. Disa do ta lexojnë, disa jo. Nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që ky libër do të jetë një motivim për fëmijët që do ta lexojnë. Ata do të gjejnë vetveten, do të gjejnë moshatarët e tyre.

A mendoni që në Shqipëri letërsisë dhe artit po i jepet hapësira e duhur? Pyetja vjen pasi ju gjithmonë jeni perpjekur të krijoni klube të ndryshme leximi, a po kthehet kjo gjë në traditë edhe në vendin tonë si kudo në botë?

Mendoj që arti, letërsia e shpërfill politikën dhe shtetin. Në këtë kuptim këtë hapësirë arti dhe letërsia duhet ta gjejnë vetë, jo tua japë dikush apo disa nga jashtë. Janë rrugë e rrugica ku arti ecën vetë, letërsia i zhbiron vetë. Kadareja thotë një fjalë shumë të bukur, ndërsa merrte çmimin e Asturiasit në Spanjë: Kadare kujton Don Kishotin, kalorësin e çmendur që shpërfilli ligjet e diktaturës dhe kapërceu kufirin erdhi këndej në vendin e diktaturës.

Kështu dhe letërsia duhet ta gjejë vetë rrugën e saj.

Këtë rrugë kërkoja edhe unë ndërsa nisja të lexoja në klubet e leximit. Kam dëshirën, përtej modestisë, të them që kam qenë ndër të parat që e kam hapur këtë udhë. Ndoshta për shkak të nostalgjisë së një kohe të shkuar kur kam qenë adoleshente dhe s`kishim argëtim tjetër veç të lexuarit. Mblidheshim në grupe të vogla e lexonim, diskutonim, shpërndanim kënaqësië e procesit. Kështu më erdhi dëshira të mblidhja fëmijët e ë lexoja vetë mes tyre.

Tani shoh që kjo është kthyer në një traditë të bukur nga shumë autorë. Më gëzon. Kultura po gjen rrugët e saj për t`u përhapur. Është vërtetë shumë bukur.

Çfarë mendim keni për letërsinë për fëmijë në vite, dhe si mendoni që po ecen ajo sot?

Letërsia për fëmijë ka patur një traditë të mirë në gjuhën shqipe. Nëse e zhveshim nga ideologjia e kohës së shkuar, ne arrijmë të identifikojmë autorë që kishin krijuar stilin dhe individualitetin e tyre në këtë zhanër. Madje letërsia e kohës së shkuar kishte arritur të krijonte e një personazh i cili kishte ecurinë e tij karakteriale dhe kishte krijuar një fizionomi të pranueshme për fëmijët e kohës: Çufon. Por vërej se pas viteve `90 letërsia për fëmijë pësoi humbje të thella, qoftë për shkak të mosvëmendjes së kritikës letrare (vijon ende kjo gjë), qoftë për shkak të skepticizmit të botuesve, të cilët preferuan të përkthejnë e jo të botojnë autorë shqiptarë.

Për fat të mirë, tabloja nuk është aq katastrofale sa deri në vitet 2000, por realietit shqiptar është ende larg simotrave të tij në Europë, të paktën.

Sot letërsisë shqipe i mungon një karakter nativ i cilësueshëm, simbolik që të referojë lexuesin e vogël shqiptar. Kritika letrare është inekzistente përballë këtij zhanri dhe tregu, më shumë se sa me novela, tregime e romane cilësore, është mbushur me libra të thjeshtë që më shumë ngjasojnë me fleta pune dhe fletore argëtuese. Pra ende jemi larg asaj që kërkon dhe synon letërsia e vërtetë për fëmijë.

Çfarë kujdesi duhet të ketë për gjuhën e fëmijëve, shprehjet, fjalët, sintaksën, për të gjitha prurjet që duhet të vijnë si letërsi për fëmijë?

Gjuha e letërsisë nuk është norma. Gjuha e letërsisë për fëmijë është gjuha e fëmijëve. Por ne, autorët, duhet të bëjmë kujdes me të: mos e dërrmojmë me snobizmin tonë prej të rrituri. Të zgjojmë fjalët e fjetura të gjuhës, të rrëmojmë në atë që unë e quaj metaforikisht shporta e gjuhës shqipe dhe të nxjerrim fjalë shumë të bukura që ne si prindër e si të rritur i kemi vënë në gjumë. T`i nxjerrim, tua japim të vegjëlve, t`i risjellin ato në kontekste të tjera dhe tua mësojmë në formën më të bukur të të shprehurit. Forma më e bukur e të shprehurit të gjuhës është letërsia e vërtetë, jo ajo e marketeve.

Cfarë këshille keni për fëmijët dhe të rinjtë të cilet çdo ditë e më shumë po përqafojnë teknologjinë dhe po e lënë pas leximin?

Në fakt këshillën e  kam për autorët dhe shtëpitë botuese: nëse lexuesit na e kërkojnë librin në formatin elektronik, ne duhet ta kthejmë atë në këtë format. Jemi para këtij fakti, nëse do t`i hapnim luftë teknologjisë do të ishim Don Kishotë. Atëherë, hajt ta bëjmë mikeshën tonë teknologjinë.

Çfarë do t’ju këshilloje prindërve, për t’u dhënë fëmijëve për të lexuar?

Së pari lërini fëmijët t`i zgjedhin vetë librat që duan të lexojnë. Së dyti, nëse do t`u ofroni klasikët, ju lutem, jepuni klasikët, ata të vërtetët, jo përmbledhjet dhe tkurrjet e tyre në përshtatje per fëmijë, aq shumë të përhapura sot për shkak të komercializmit.

Pas “Estes…” me çfarë do ta surprizoni lexuesin e vogël”?

Nuk e di… kur shkruaj s`bëj asnjë plan….

Faleminderit

ArberiaNews.net

(Intervistoi M. Çiku)