Për mjekët, arsimtarët dhe studentët, vaksinimi kundër COVID-19 nuk do të jetë zgjedhje, por detyrim. Komiteti Teknik i Ekspertëve bëri me dije planin e ri të masave që do të nisë zbatimin prej muajit shtator. Duke i konsideruar këto tri kategori rrezik për përhapjen e infeksionit, zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, tha se ata mjekë, mësues apo studentë që nuk do të pranojnë të vaksinohen, do të jenë të detyruar që të kryejnë periodikisht testin PCR si garanci që nuk përbëjnë rrezik për të infektuar të tjerët.
“Komiteti i Ekspertëve të Vaksinimit në vlerësim të përgjegjshmërisë qytetare për mbrojtjen e shëndetit publik ka vendosur rekomandimin e vendosjes së vaksinimit të detyruar për grupet më të riskuara nga marrja dhe sidomos nga shpërndarja e infeksion- it, duke filluar me stafet mjekësore, me arsimtarët dhe me studentët. Vlerësohet që shtatori, duke qenë muaj i hapur, të jetë periudha që të gjithë stafet mjekësore, arsimtarët dhe studentët, të kryejnë vaksinimin dhe deri në datën 30 shtator të dorëzojnë vërtetimin pranë qendrës së tyre të punës dhe për studentët pranë zyrave të përcaktuara nga Institucionet e Arsimit të Lartë kopjen e kartës së vaksinimit të dalë nga e-Albania. Pas kësaj date, për ata të cilët nuk e kanë, do të kërkohet paraqitja periodike e testit PCR për të verifikuar infektueshmërinë”, tha Rakacolli.
Përjashtim sipas saj do të bëhet vetëm për ata që kanë indikacion mjekësor të përcaktuar me dokument mjekësor për mosbërjen e vaksinës. Një dokument i cili do të vlerësohet me përgjegjshmëri përveç mjekut dhe specialistit që e ka dhënë, edhe nga specialisti i Institutit të Shëndetit Publik. Nga të dhënat e deritanishme, rezulton që vetëm 60 për qind e arsimtarëve e kanë kryer vaksinën, ndërsa në një shkallë më të lartë rezulton të jetë përqindja e të vaksinuarve në radhët e bluzave të bardha. Muaji shtator do të jetë sërish muaji i hapur, duke i dhënë mundësinë çdo personi plus 18 vjeç që të vaksi- nohet. Ndërsa penaliteti për paraqitjen për marrjen e PCR në mënyrë periodike për tri kategoritë e mësipërme do të fillojë pas datës 30 shtator.
Për ministren Manastirliu, vendosja e pezullimeve apo vendosja e masave në raport me punonjësit, nuk është qëllim më vetvete, por është një nxitje më shumë drejt vaksinimit. “Sa i përket vendimit të marrë nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, por me rekomandim të komitetit të vaksinimit, pas një vlerësimi të thelluar të situatës së vaksinimit, vijnë si obligime për të rritur mbulesën vaksinale të grupeve të rriskuar që kanë edhe riskun që lidhet me transmetueshmërinë në ambientet ku ushtrojnë detyrën e tyre. Nuk është qëllim në vetvete vendosja e pezullimeve apo vendosja e masave në raport me punon- jësit, është një nxitje më shumë drejt vaksinimit, e në fund të ditës përpjekje për të shpëtuar jetët, jetën e atyre që shërbejnë dhe atyre që marrin shërbime, ndaj ky është qëllimi parësor, shtatori do jetë muaj i hapur ku puna nuk do ndalet për të rritur mbulesën vaksinale”, theksoi ministrja. Por vaksinimi i detyruar nuk do jetë vetëm për mësuesit, mjekët dhe studentët. Zv.kryeministri Erion Braçe ka paralajmëruar edhe punonjësit e administratës, teksa shkruan se “cilido që është në marrëdhënie me shtetin, nëpunës, nëpunës në shërbime masive për qytetarët etj., duhet të vaksinohet! E ka detyrim veç mundësi për të shpëtuar shëndetin e tij”.
Lidhur me planin e masave, përveç zgjatjes së orës policore, janë shtrënguar masat edhe në pikat kufitare të vendit. Duke nisur nga data 6 shtator, për të hyrë në vendin tonë do të duhet ose testi PCR ose certifikata e vaksinimit kundër koronavirusit ose një dëshmi apo provë që e keni kaluar sëmundjen në 6 muajt e fundit.
Ndërkohë, maska do të vijojë të jetë e detyrueshme për ambientet e mbyllura. “Në të gjitha rastet kur nuk respektohen masat e rekomanduara do të zbatohen penalitetet, siç është ai individual kur qytetari nuk ka përdorur maskën në ambientet e rekomanduara në masën e gjobës 3 mijë lekë nëse është për herë të parë dhe në rast përsëritje në masën 5 mijë lekë. Në rast kur bizneset nuk zbatojnë protokollet e rekomanduara nga Instituti i Shëndetit Publik, masa e penalitetit shkon nga 100,000-700,000 lekë, në varësi të masës, e cila nuk ësh- të zbatuar”, shtoi Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Rakacolli.
MASAT E VENDOSURA NGA EKSPERTËT
Duke filluar nga data 1 shtator, ora policore nga 24:00 deri në 06:00 që është sot, do të shkojë në 23:00- 06:00. Duke filluar nga data 6 shtator, qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë një nga këto tri kushte:
1. Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë.
2. Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48
orëve.
3. Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.
Këto rregulla janë të vlefshme edhe për ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri. Fëmijët deri në 6 vjeç nuk u nënshtrohen këtyre rregullave. Qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentet e sipërcituara, duhet të vetizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit. Vazhdon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura, në qendra tregtare, supermarket, dyqane, transport publik dhe në të gjitha ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.